Tahiri: Kanë mbetur tetë ditë për vendimin për presidentin, duhet seriozitet politik
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar atë që e cilësoi si “injorim të situatës reale” lidhur me zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Në një deklarim për media pas seancës plenare, Tahiri tha se më 6 tetor vendi do të përballet me një vendim të rëndësishëm – vazhdimin e procesit institucional ose shkuarjen në zgjedhje.
“Është e pakuptueshme dhe e paakceptueshme që ne të mos flasim për problemet reale”, tha Tahiri.
Ai kërkoi më shumë seriozitet dhe reflektim politik, duke theksuar se kanë mbetur edhe tetë ditë deri në afatin për presidentin.
“Sot Kosova ka nevojë për seriozitet, ka nevojë për reflektim, për shkak se kanë mbetur edhe 8 ditë deri te një vendim. Nuk shoh proces serioz, nuk shoh reflektim të situatës çka ka ndodhur më 16 shtator, shoh vazhdimësi të një situate e cila po na përsëritet”, deklaroi ai.
Tahiri foli edhe për Deklaratën e Kuvendit lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas tij, deklarata përbën zotim të përfaqësuesve të popullit për angazhim institucional lidhur me këtë çështje.
“Është zotim shtetëror i përfaqësuesve të popullit që padrejtësia, angazhimi i shtetit dhe nevoja e unifikimit në këtë temë të rëndësishme për lirinë dhe ata katër burra atje që janë është jetike”, u shpreh Tahiri. /Telegrafi/