FOKUS – BE propozon kontrolle të rregullta kardiovaskulare që nga mosha 35 vjeç
BRUKSEL, 28 shtator /ATSH -DPA/ – Komisioni Evropian ka propozuar forcimin e kontrolleve parandaluese për sëmundjet kardiovaskulare, duke rekomanduar që qytetarët e Bashkimit Evropian t’i nënshtrohen kontrolleve të rregullta shëndetësore që në moshë të re.
Sëmundjet kardiovaskulare, përfshirë infarktin e miokardit, goditjet në tru dhe insuficiencën kardiake, mbeten shkaku kryesor i vdekjeve dhe paaftësisë në Bashkimin Evropian.
Sipas statistikave zyrtare, ato shkaktojnë rreth 1.7 milionë vdekje në vit, ose pothuajse një të tretën e të gjitha vdekjeve në BE.
Komisioni vlerëson se rreth 62 milionë persona në BE preken nga këto sëmundje. Faktorët kryesorë të rrezikut përfshijnë hipertensionin, kolesterolin e lartë, diabetin, obezitetin, duhanpirjen dhe mungesën e aktivitetit fizik.
Në kuadër të strategjisë së re parandaluese, Komisioni Evropian u ka propozuar 27 vendeve anëtare që të vendosin kontrolle të strukturuara për shëndetin kardiovaskular.
Sipas rekomandimit, para moshës 35 vjeç duhet të kryhet të paktën një kontroll, i cili do të përfshijë matjen e tensionit të gjakut dhe analiza të gjakut.
Në rastet kur ekzistojnë faktorë të veçantë rreziku ose histori familjare, kontrollet mund të jenë më të shpeshta.
Për grupmoshën 35–64 vjeç, Komisioni rekomandon kontrolle sistematike të paktën çdo pesë vjet, me një vlerësim më të gjerë të gjendjes shëndetësore.
Krahas faktorëve të rrezikut kardiovaskular, kontrollet do të mund të përfshijnë shëndetin riprodhues dhe mendor, funksionin e veshkave dhe mushkërive, indeksin e masës trupore dhe historinë familjare.
Për personat mbi 65 vjeç, propozohet që kontrollet të kryhen çdo tre deri në pesë vjet, duke përfshirë edhe ekzaminime më të avancuara, si elektrokardiograma.
“Duhet t’i ndihmojmë njerëzit të krijojnë zakone të mira për shëndetin në një moshë sa më të hershme dhe të zbulojnë më shpejt faktorët e rrezikut”, deklaroi komisioneri evropian për Shëndetësinë, Oliver Varhelyi.
Ai theksoi veçanërisht nivelet e larta të duhanpirjes dhe përdorimit të cigareve elektronike, si dhe rritjen e obezitetit dhe mungesës së aktivitetit fizik tek të rinjtë.
Propozimi synon që zbulimi i hershëm i faktorëve të rrezikut dhe ndërhyrja në kohë të ndihmojnë në uljen e sëmundjeve dhe vdekjeve të parandalueshme nga problemet kardiovaskulare.