Wednesday, 1 April 2026
54°F Detroit
BallinaBotaAktivistët japin alarmin: Mohammadi pëson infarkt

Aktivistët japin alarmin: Mohammadi pëson infarkt

Aktivistë të afërt me fituesen e Çmimit Nobel për Paqen, Narges Mohammadi, të burgosur në Iran, thonë se ajo ka pësuar një atak në zemër, shkruan apresse.it

Ekipi i saj ligjor, i shoqëruar nga një anëtar i familjes, e vizitoi atë në burgun e Zanjanit më 29 mars, sipas një deklarate të lëshuar sot nga organizata ”Free Narges”.

“Shëndeti i saj i përgjithshëm ishte jashtëzakonisht i dobët; ajo dukej e zbehtë dhe e dobët, dhe kishte pësuar humbje të konsiderueshme në peshë”, thuhet në deklaratë, duke cituar shokët e saj të qelisë, të cilët thanë se ajo u gjet pa ndjenja në shtratin e saj me sytë e kthyer prapsh më 24 mars.

“Pavarësisht kësaj emergjence mjekësore dhe shenjave të dukshme të një ataku në zemër, autoritetet refuzuan ta transferonin Mohammadi në spital ose ta lejonin të konsultohej me një specialist”, vazhdon deklarata.

Aktivistja vuan nga probleme me zemrën dhe pësoi disa atake në zemër ndërsa ishte në paraburgim para se t’i nënshtrohej një operacioni urgjent në vitin 2022.

Narges Mohammadi u dënua me një total prej 13 vjetësh e nëntë muajsh burg për akuza për sigurinë kombëtare.

Në dhjetor 2024, ajo u lirua nga burgu i Evin për arsye shëndetësore, por disa ditë më vonë, ajo u arrestua përsëri gjatë një ceremonie funerali në qytetin verilindor të Mashhadit, së bashku me aktivistë të tjerë.

53-vjeçarja është një nga zërat më të shquar të mospajtimit në Iran, mbështetëse e fushatës kundër dënimit me vdekje dhe nënkryetare e Qendrës për Mbrojtësit e të Drejtave të Njeriut në Republikën Islamike, sipas faqes së internetit të Amnesty International. /os/

Lini një koment