Bëri si ‘interesant’ me makinë mbi trotuar për TikTok, gjobitet me 600 mijë lekë shoferi në Berat
Manovrat me makinë mbi trotuar duke filmuar një video në TiKTok dhe rrezikuar jetën e kalimtarëve i kanë kushtuar shtrenjtë një qytetari në Berat.
Policia e ka ndëshkuar me një gjobë prej 60 mijë lekësh dhe tërheqje të lejes së qarkullimit për shkak të mungesës së kontrollit teknik dhe siguracionit.
Njoftimi i policisë:
Berat/Lëvizi me automjet, në trotuar, në qytet, ndëshkohet me masë administrative 60 000 lekë dhe i tërhiqet leja e qarkullimit.
Pas publikimit në rrjetin social “TikTok”, të një videoje në të cilën shfaqej një automjet që lëvizte në trotuar, në një rrugë në qytetin e Beratit, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e qytetarëve, shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Berat kryen veprimet hetimore për identifikimin e drejtuesit të automjetit.
Në përfundim të veprimeve, u identifikua drejtuesi i automjetit, shtetasi I. L., i cili u shoqërua në Komisariat, ku u kryen veprimet e mëtejshme procedurale.
Në përfundim, shtetasi I. L. u ndëshkua me masë administrative 60 000 lekë, si dhe iu tërhoq leja e qarkullimit, pasi nga kontrolli i dokumentacionit të automjetit, rezultoi pa kontroll teknik dhe pa siguracion.