Shiste kokainë në lokalin që kishte marrë me qira, arrestohet 57-vjeçari në Korçë
Një 57-vjeçar është arrestuar nga Policia e Korçës, pasi dyshohet se në lokalin që kishte marrë me qira, në fshatin Drithas, shiste kokainë.
Sipas raportimeve të policisë, në pranga ka rënë Spiro Bregu, 57 vjeç, të cilit gjatë kontrollit në lokal, policia gjeti një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, të ndarë në doza dhe të gatshme për shitje.
Ndërkohë, gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjet një tjetër sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, si dhe një peshore elektronike.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda speciale, për disa javë, për një rast të shitjes së lëndëve narkotike në fshatin Drithas, finalizuan operacionin e koduar “Drithas”. Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi S. B., 57 vjeç, banues në fshatin Drithas, Maliq.
Gjatë kontrollit në lokalin që ky shtetas kishte marrë me qira, u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza, gati për shitje, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një sasi tjetër lënde e dyshuar narkotike kokainë dhe një peshore elektronike.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.