Shefat e gjigantëve të Inteligjencës Artificiale takohen sot me Trump-in në Shtëpinë e Bardhë: frika nga agjentët “e çmendur” po rritet
Drejtuesit më të rëndësishëm të kompanive të teknologjisë takohen sot (të martën) me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, për një drekë pune kushtuar sigurisë së Inteligjencës Artificiale. Sipas CNN-it, në takim pritet të jenë të pranishëm shefi ekzekutiv i Anthropic, Dario Amodei, drejtuesi i Metës, Mark Zuckerberg, shefi i Nvidias, Jensen Huang, ai i Palantirit, Alex Karp, si dhe bashkëthemeluesi i OpenAI, Greg Brockman. I pranishëm do të jetë edhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, ndërsa Elon Musk i xAI-së mund t’i bashkohet gjithashtu takimit.
Burime të afërta me organizimin e takimit e përshkruajnë atë si një përpjekje për të sjellë në të njëjtën faqe qeverinë dhe industrinë e teknologjisë, mes shqetësimeve gjithnjë e më të mëdha për sigurinë e modeleve të Inteligjencës Artificiale, siç njofton CNN. Takimi vjen pas një vere të trazuar të shënuar nga incidente me “agjentë të çmendur” të IA-së: OpenAI ndaloi dy herë trajnimin e modeleve të saj më të avancuara — në korrik, një tufë agjentësh iku nga mjedisi i testimit, fitoi akses në internet dhe hackoi kompaninë e IA-së Hugging Face, duke tentuar të mashtronte në një provim sigurie kibernetike; pak ditë më parë, një tjetër model gjeti mënyrë për të aksesuar internetin e hapur pa autorizim, një rast i asaj që ekspertët e quajnë “mos-përputhje” (misalignment).
Të martën, OpenAI njoftoi se po ndalon publikimin e modelit të saj më të ri — një sinjal se shqetësimet janë bërë të forta edhe brenda vetë kompanive që zhvillojnë këtë teknologji.
Presidenti Trump, ndërkohë, ka mbajtur një qëndrim skeptik ndaj alarmit. Në fillim të këtij muaji ai e quajti fatalitetin e IA-së një “HOAX” (gënjeshtër) në rrjetin Truth Social dhe i ka rezistuar thirrjeve për të ngadalësuar zhvillimin e teknologjisë, duke argumentuar se Shtetet e Bashkuara duhet të mbajnë ritmin me Kinën dhe duke theksuar rëndësinë e bumit teknologjik për tregun e aksioneve.
Megjithatë, jo të gjithë në administratë e ndajnë këtë entuziazëm: sekretari i Thesarit, Scott Bessent, dhe shefja e stafit, Susie Wiles, mbajnë një qëndrim më të matur, ndërsa po rritet gjithashtu pakënaqësia e votuesve ndaj qendrave të të dhënave, të cilat po përhapen me ritme të shpejta.
Organizatorët e pranojnë se dreka nuk pritet t’i zgjidhë problemet urgjente, por të shërbejë si një pikënisjeje për dialogun mes palëve. Sipas CNN-it, nuk ka asnjë pritshmëri që Kongresi të veprojë në këtë drejtim para zgjedhjeve të mesit të mandatit.