Bashkëpunimi në operacionet speciale, Jashari takon komandantët nga Shqipëria dhe Kroacia
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim komandantët e forcave speciale të Shqipërisë dhe Kroacisë.
Në takim, sipas njoftimit të FSK-së, është diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet FSK-së dhe forcave partnere, me fokus në operacionet speciale, trajnimet dhe zhvillimin e kapaciteteve.
Pjesë e diskutimeve ishte edhe koordinimi dhe shkëmbimi i përvojave profesionale, si dhe rëndësia e ushtrimeve të përbashkëta për rritjen e ndërveprueshmërisë dhe forcimin e koordinimit ndërmjet forcave pjesëmarrëse.
Në këtë kuadër, është diskutuar edhe ushtrimi “Valor Shield 2026”, i cili u cilësua si mundësi për bashkëpunim dhe shkëmbim të përvojave ndërmjet forcave pjesëmarrëse.
Jashari ka vlerësuar bashkëpunimin e vazhdueshëm me forcat partnere të Shqipërisë dhe Kroacisë, duke theksuar rëndësinë e partneritetit dhe angazhimeve të përbashkëta për zhvillimin profesional dhe rritjen e kapaciteteve të FSK-së. /Telegrafi/