10 oficerë të FSK-së nisin kurset profesionale në Kolegjin e Mbrojtjes dhe Sigurisë në Shqipëri
Dhjetë oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë nisur kurset profesionale në Kolegjin e Mbrojtjes dhe Sigurisë në Shqipëri, në kuadër të përgatitjes dhe zhvillimit të mëtejshëm profesional të strukturave të mbrojtjes, transmeton Klan Kosova.
Nga 75 pjesëmarrësit në kurset e reja, 65 janë oficerë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, ndërsa 10 vijnë nga Forca e Sigurisë së Kosovës.
Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, e cila thekson se formimi profesional, lidershipi dhe rritja e kapaciteteve janë pjesë e procesit të transformimit të Forcave të Armatosura.
Sipas ministrisë, kurset synojnë të kontribuojnë në përgatitjen e personelit për të marrë përgjegjësi të reja dhe për të rritur ndërveprueshmërinë me aleatët.
“Dija, profesionalizmi dhe lidershipi janë pjesë e pandashme e transformimit të Forcave të Armatosura dhe e ambicies sonë për një forcë moderne, të aftë dhe plotësisht të ndërveprueshme me aleatët”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë.