Lëvizte me armën plot, arrestohet 31-vjeçari, i sekuestrohet pistoleta dhe 14 fishekë
Një 31-vjeçar është arrestuar në Tiranë pasi u kap duke lëvizur i armatosur në rrugën “Ndre Mjeda”.
Policia e Tiranës bën me dije se operacioni i koduar “Shadow” u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, pas administrimit të një informacioni të siguruar gjatë punës operative për një person që dyshohej se qarkullonte me armë zjarri.
“Pas ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të policisë, në rrugën “Ndre Mjeda” u arrestua në flagrancë shtetasi D. S., 31 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit, atij iu gjet dhe sekuestrua një armë zjarri pistoletë, e mbushur me municion, të cilën e posedonte pa leje, së bashku me krehrin dhe 14 fishekë”, tha Policia.
Në përfundim të veprimeve, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.