“Ambicia jonë, jo vetëm të jemi anëtarë të NATO-s”- 75 oficerë nga Shqipëria e Kosova nisin tre kurset profesionale,
75 oficerë kanë nisur vitin e ri akademik në tre kurse profesionale të Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, 65 prej të cilëve nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe 10 nga Forca e Sigurisë së Kosovës.
Në ceremoninë e nisjes së kurseve, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi e cilësoi arsimin profesional ushtarak si një investim të drejtpërdrejtë në të ardhmen e Forcave të Armatosura dhe në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.
“Asnjë kapacitet ushtarak nuk është më i fortë se njerëzit që e drejtojnë, e përdorin dhe e zhvillojnë atë. Prandaj, investimi në dije, profesionalizëm dhe lidership është një prej investimeve më të rëndësishme që mund të bëjmë për sigurinë dhe mbrojtjen e Republikës”, u shpreh ministri Nufi.
Pjesëmarrjen e oficerëve të Kosovës në këto programe, Ministri Nufi e vlerësoi si një tjetër dëshmi të forcimit të bashkëpunimit Shqipëri–Kosovë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Sipas tij, në një mjedis sigurie që ndryshon me shpejtësi, përballë kërcënimeve hibride dhe asimetrike, zhvillimeve teknologjike dhe sfidave të sigurisë kibernetike, Forcat e Armatosura kanë nevojë për drejtues dhe oficerë që përveç dijes teknike, të zotërojnë aftësinë për të analizuar, parashikuar, bashkëpunuar dhe marrë vendime në situata komplekse.
“Arsimi profesional ushtarak nuk është një proces që përfundon me një kurs apo me një diplomë, është pjesë e drejtpërdrejtë e ndërtimit të kapaciteteve tona mbrojtëse”, theksoi Nufi.
Ministri i Mbrojtjes nënvizoi gjithashtu rëndësinë e konsolidimit të Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë si një institucion elitar të arsimit profesional ushtarak, në funksion të transformimit të Forcave të Armatosura, rritjes së profesionalizmit dhe ndërveprueshmërisë me aleatët.
Në këtë drejtim, Nufi vuri theksin te bashkëpunimi me vendet aleate dhe partnere, përmes lektorëve dhe ekspertëve ndërkombëtarë, shkëmbimit të përvojave dhe përfshirjes së praktikave më të mira në fushat e kërcënimeve hibride, mbrojtjes kibernetike, planëzimit operacional, lidershipit dhe transformimit ushtarak.
Një tjetër hap në këtë drejtim është përgatitja për hapjen, në mars të vitit të ardhshëm, të Kursit të Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen, me pjesëmarrje në rritje nga vendet e rajonit, NATO-s dhe më gjerë.
“Ambicia jonë nuk është thjesht të jemi pjesë e Aleancës. Ambicia jonë është të jemi një aleat gjithnjë e më i aftë, gjithnjë e më i përgatitur dhe gjithnjë e më kontribuues në sigurinë kolektive dhe sfidat e përbashkëta”, deklaroi ministri Nufi.
Duke iu drejtuar 75 kursantëve, ministri theksoi se përgjegjësia e tyre shkon përtej një programi studimi, pasi përgatitja profesionale lidhet drejtpërdrejt me aftësinë për të udhëhequr, marrë vendime dhe mbajtur përgjegjësi në shërbim të vendit.
“Në uniformë, profesionalizmi është përgjegjësi; lidershipi është shembull; dhe dija merr vlerën e saj të plotë vetëm kur vihet në shërbim të vendit”, u shpreh ministri Nufi.
Në ceremoni morën pjesë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjenerallejtënant Arben Kingji; komandanti i Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë Gjeneralmajor Altin Kurti; Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi; komandantë, pedagogë, instruktorë dhe të ftuar të tjerë.