E martë, 3 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Debate në Këshillin Bashkiak të Tiranës, opozita kërkon seancë të posaçme për Reformën Territoriale

Debate në Këshillin Bashkiak të Tiranës, opozita kërkon seancë të posaçme për Reformën Territoriale

Mbledhja e kësaj të marte e Këshillit Bashkiak të Tiranës është shoqëruar me debate, teksa këshilltarët diskutuan propozimin e Partisë Socialiste për ndarjen e re administrativo-territoriale.

Pika 11 e rendit të ditës parashikon që këshilltarët të shprehen për ndryshimet që prekin kufijtë e kryeqytetit ndërsa debati u përqendrua te propozimi për përfshirjen e Rinasit, Bërxullës dhe Domjes në territorin e Tiranës, por edhe te mënyra se si qëndrimi i Këshillit Bashkiak do të pasqyrohet në procesin që do t’i përcillet Kuvendit.

Këshilltarja demokrate Ilda Zhulali kundërshtoi faktin që reforma ishte vendosur si pika 11 e rendit të ditës, duke kërkuar që një ndryshim i tillë të trajtohej në një seancë të posaçme.

“Tani unë nuk e di a e kuptoni juve, se çfarë rëndësie ka kjo pika 11 e rendit të ditës. Se nuk është pika 11. Këtu diskutohet se çfarë do ndodhë minimalisht 10 vitet e ardhshme, me këtë vend dhe qeverisjen vendore”, deklaroi Zhulali.

Ajo akuzoi mazhorancën se po minimizon rëndësinë e Reformës Territoriale.

“Ju e minimizoni dhe shëmtoni një nga aktet më të rëndësishme që është Reforma Territoriale, që ka rëndësi kombëtare dhe jo lokale”, tha Zhulali.

Nga ana tjetër, sekretari i Këshillit Bashkiak, Behar Zeneli, tha se relacioni ka ardhur nga Kuvendi dhe se Këshilli duhet të japë mendimin e tij për ndryshimin territorial që prek Tiranën.

“Ky relacion i ka ardhur Këshillit Bashkiak nga Kuvendi i Shqipërisë dhe ne e kemi përcjellë këtë thjesht për mendim”, deklaroi Zeneli.

Sipas tij, Këshilli duhet të shprehet nëse pranon apo jo përfshirjen e Rinasit, Bërxullës dhe Domjes në strukturën e re administrative të Tiranës.

“Zoti Zeneli, kjo nuk është një lojë me harta”, iu përgjigj Zhulali, duke kundërshtuar trajtimin e çështjes vetëm si ndryshim administrativ të tre territoreve.

Në debat ndërhyri edhe këshilltari demokrat Dorjan Teliti, i cili tha se qëndrimi i Këshillit nuk është thjesht një mendim informal. Sipas tij, projektvendimi parashikon që qëndrimi i shumicës dhe mendimi i pakicës të përfshihen në raportin përfundimtar.

“Duke qenë se ne pakica e kemi një mendim ndryshe nga ju shumica, duam të dimë se çfarë procedure do të ndjekim sot, në mënyrë që edhe mendimi i juaj, edhe mendimi i jonë, të reflektohen në këtë vendim”, deklaroi Teliti.

Lini një koment