Wednesday, 30 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Goditet call center-i mashtrues në Tiranë, 4 në pranga! Pronari shpallet në kërkim

Goditet call center-i mashtrues në Tiranë, 4 në pranga! Pronari shpallet në kërkim

Një call center nëpërmjet të cilit mashtroheshin shtetas të huaj me qëllim vjedhjen e shumave të mëdha të parave, është zbuluar në Tiranë, në rrugën e Kavajës.

Nga operacioni policor, janë arrestuar 4 persona të kapur në flagrancë ndërsa një 23-vjeçare po procedohet në gjendje të lirë. Sakaq, në kërkim është shpallur pronari i këtij call center-i, 45-vjeçari me iniciale T. B.

“Nga hetimet rezultoi se ambienti ishte në pronësi të shtetasit T. B., i cili, në bashkëpunim me shtetasit e mësipërm, e administronte atë me qëllim zhvillimin e kësaj veprimtarie të kundërligjshme.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u vunë në pranga shtetasit E. Xh., 40 vjeç, G. N., 42 vjeç, E. D., 32 vjeç dhe E. H., 31 vjeç. Si dhe u shpall në kërkim shtetasi T. B., 45 vjeç, ndërsa shtetasja E. A., 23 vjeçe, u procedua në gjendje të lirë”, njofton policia.

Ka qenë Krimi Ekonomik që ka zbuluar bazën e call centerit brenda të cilit janë gjetur dhe blloqet me emrat e klientëve të mashtruar. Gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj raporton se jo vetëm me bursat fiktive, por personat e arrestuar i merrnin sërish klientët e mashtruar në telefon duke iu prezantuar si avokatë. Në këtë pikë i mashtronin sërish duke i marrë nga 5 mijë deri në 10 mijë euro.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 13 njësi kompjuterike, 19 aparate celularë, 7 laptopë dhe materiale të tjera që dyshohet se lidhen me këtë veprimtari.

Lini një koment