Paxton pranon privatisht: Konventa e republikanëve i rrëzoi shifrat e sondazheve, “çdo kujt ranë”
Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit, Ken Paxton, kandidati republikan për Senatin e Shteteve të Bashkuara nga Teksasi, ka pranuar privatisht para një grupi donatorësh dhe lobistësh konservatorë se shifrat e sondazheve të republikanëve pësuan rënie për shkak të konventës së shumëpërfolur të partisë për zgjedhjet e mesmandatit, të mbajtur në Dallas në fillim të këtij muaji.
“Të jem i sinqertë me ju, shifrat — kur e bëmë atë konventë, ajo i uli shifrat tona. Çdo kujt ranë shifrat”, i tha Paxton tubimit javën e kaluar, sipas një regjistrimi audio të siguruar nga New York Times. “Tani për tani, po, jo mirë”, shtoi ai, siç njofton New York Post.
Paxton është në një garë të ashpër me përfaqësuesin e shtetit James Talarico, i cili synon të bëhet demokrati i parë i zgjedhur në Senat nga Teksasi që nga viti 1988. Sipas mesatares së sondazheve të RealClearPolitics, Talarico aktualisht kryeson ndaj Paxton-it me 2.9 pikë përqindjeje.
Këshilltari i fushatës së Paxton, Nick Maddux, e quajti shkrimin “më shumë marrëzi të manipuluara nga The New York Times”, duke pretenduar se sondazhi i tyre më i fundit nga java e kaluar e nxjerr Paxton-in në krye me tre pikë dhe se shifrat janë përmirësuar që nga fillimi i shtatorit.
Ndërkohë, presidenti Donald Trump është planifikuar të shfaqet të enjten në një objekt të kompanisë Peterbil Motors në Denton të Teksasit, si pjesë e përpjekjes së tij përfundimtare për të zgjedhur kandidatët republikanë dhe për të mbajtur kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit.