Zbardhet projektligji i Qeverisë, masat aktuale të paraburgimit do të kalojnë në verifikim! Zbulohen procedurat dhe fazat
Masat ekzistuese të sigurimit do të kalojnë në verifikim.
Ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale nuk prekin vetëm masat e reja të sigurimit që do të caktohen pas hyrjes në fuqi të ligjit. Drafti parashikon që edhe masat që janë vendosur më parë dhe vazhdojnë të jenë në fuqi do të kontrollohen nëse përputhen me kriteret e reja.
Këtë e përcakton neni 105, “Dispozita kalimtare”, i cili u jep personave që ndodhen nën një masë sigurimi të drejtën të kërkojnë revokimin ose zëvendësimin e saj, nëse masa nuk përputhet me kushtet e ligjit të ri.
“Personat që, në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, ndodhen nën masa sigurie që nuk përputhen me kriteret dhe kushtet e përcaktuara nga ky ligj, kanë të drejtë që, pas hyrjes së tij në fuqi, të paraqesin kërkesë për revokim ose zëvendësim pranë gjykatës që ka vendosur masën”, përcakton neni 105.
Por kontrolli i masave ekzistuese nuk lihet vetëm në dorën e personit që ndodhet nën masë sigurimi. Gjykata që ka vendosur masën ka detyrimin ta verifikojë atë edhe me nismën e saj.
“Brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, gjykata që ka vendosur masën duhet të verifikojë kryesisht përputhshmërinë e të gjitha masave të sigurimit në fuqi me kriteret dhe kushtet e përcaktuara nga ky ligj”, thuhet në dispozitën kalimtare.
Kjo do të thotë se brenda 60 ditëve do të duhet të kontrollohen të gjitha masat e sigurimit që janë në fuqi, pavarësisht nëse personi ka paraqitur ose jo një kërkesë për rishikimin e tyre.
Arrestet në burg, të parat që do të shqyrtohen
Neni 105 vendos përparësi për masën e arrestit në burg.
“Prioritet në shqyrtim u jepet kërkesave dhe verifikimeve kryesisht që lidhen me masën e arrestit në burg. Këto duhet të shqyrtohen brenda tre ditëve nga paraqitja ose nisja e tyre”, përcakton drafti.
Dispozita specifikon më tej se ky prioritet dhe afati treditor zbatohen “për të gjitha rastet kur baza ligjore për arrestin në burg nuk lejohet më sipas këtij ligji”.
Pra, nëse një person mbahet në arrest në burg mbi një bazë ligjore që, sipas kritereve të reja, nuk e lejon më këtë masë, çështja e tij duhet të kalojë me përparësi në shqyrtim.
Kjo nuk nënkupton lirimin automatik të personit. Gjykata duhet të shqyrtojë masën dhe të vendosë nëse ajo do të vazhdojë, do të revokohet apo do të zëvendësohet sipas kritereve të reja.
30 ditë për masat e tjera të sigurimit
Për masat e tjera, përveç arrestit në burg, drafti vendos një afat tjetër.
“Kërkesat dhe verifikimet kryesisht që lidhen me masa sigurie të tjera përveç arrestit në burg shqyrtohen brenda tridhjetë ditëve”, thuhet në nenin 105.
Kështu, dispozita kalimtare krijon dy nivele shqyrtimi: përparësi për arrestet në burg dhe një afat deri në 30 ditë për kërkesat dhe verifikimet që lidhen me masat e tjera të sigurimit.
Edhe prokurori duhet të kërkojë revokimin ose zëvendësimin
Detyrim nuk i vendoset vetëm gjykatës. Nëse prokurori konstaton se një masë sigurimi nuk përputhet më me kriteret e Kodit të ndryshuar, ai duhet t’i drejtohet gjykatës.
“Prokurorët që konstatojnë se një masë sigurie nuk përputhet më me kriteret e përcaktuara nga ky Kod duhet, pa vonesë, t’i paraqesin gjykatës kompetente kërkesë për revokimin ose zëvendësimin e saj”, përcakton neni 105.
Vendimi mbetet në dorën e gjykatës, ndërsa palët ruajnë të drejtën e ankimit. “Kundër vendimit të gjykatës të marrë në përputhje me këtë nen, palët mund të ushtrojnë mjetet e ankimit në përputhje me dispozitat e këtij Kodi”, thuhet në draft.
Provat e mbledhura më parë nuk bëhen të pavlefshme
Ndryshe nga masat e sigurimit, të cilat do të kontrollohen sipas kritereve të reja, aktet dhe provat e siguruara përpara hyrjes në fuqi të ndryshimeve nuk humbasin automatikisht vlefshmërinë.
Neni 105 përcakton se “aktet dhe provat e siguruara përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji ruajnë vlefshmërinë e tyre dhe mund të përdoren në çdo procedim në vijim ose të mëvonshëm”, me kusht që ato të jenë mbledhur në përputhje me ligjin që ishte në fuqi në momentin e sigurimit të tyre. /Top Channel/