Modi bisedon me Trump-in: India kërkon marrëveshje të përkohshme tregtare me SHBA-në
Kryeministri indian Narendra Modi dhe presidenti amerikan Donald Trump zhvilluan të mërkurën një bisedë telefonike dhe ranë dakord të mbajnë kontakte të ngushta për të avancuar partneritetin strategjik SHBA–Indi, sipas një deklarate të Zyrës së Kryeministrit indian.
Në bisedë, dy liderët shqyrtuan bashkëpunimin dypalësh në tregti, mbrojtje, energji dhe teknologji kritike, si dhe shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë përpjekjet për paqen dhe sigurinë globale, siç njofton Reuters.
Biseda telefonike vjen ndërkohë që ministri indian i Tregtisë, Piyush Goyal, ndodhet në SHBA nga 29 shtatori deri më 5 tetor për bisedime mbi një marrëveshje tregtare dypalëshe dhe një aranzhim të përkohshëm (interim), sipas Reuters.
Goyal mbërriti të martën në Milwaukee për takimin e ministrave të tregtisë të G20-ës, me ftesë të Përfaqësuesit amerikan të Tregtisë, Jamieson Greer, dhe u takua me drejtues të kompanive amerikane të prodhimit dhe teknologjisë në një tryezë të organizuar nga Shoqata Kombëtare e Prodhuesve.
Pas muajsh negociatash nuk ka ende marrëveshje; Nju Delhi kërkon kushte më të mira tregtare. Në fillim të këtij muaji India i tha Uashingtonit se masat e reja tarifore amerikane, të lidhura me blerjet indiane të naftës ruse, mund të ndikojnë marrëdhëniet dypalëshe.