Thursday, 1 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›“Zgjerojmë bashkëpunimin, vizion i përbashkët”- Takimi Wendt-Hoxha, ambasada ndan pamjet dhe mesazhin: Partneriteti SHBA

“Zgjerojmë bashkëpunimin, vizion i përbashkët”- Takimi Wendt-Hoxha, ambasada ndan pamjet dhe mesazhin: Partneriteti SHBA

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, zhvilloi një takim me ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, në kuadër të marrëdhënieve të ngushta dhe partneritetit historik ndërmjet dy vendeve.

Lajmi u bë i ditur nga Ambasada Amerikane në Tiranë përmes një postimi në rrjetet sociale, ku takimi u cilësua si një mundësi për të vlerësuar lidhjet e forta që kanë karakterizuar marrëdhëniet shqiptaro-amerikane për më shumë se një shekull, si dhe për të diskutuar bashkëpunimin e mëtejshëm në fusha me interes të përbashkët.

Në reagimin e saj, ambasada theksoi se partneriteti mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara mbështetet mbi një histori të gjatë miqësie dhe bashkëpunimi.

“Një partneritet historik me një vizion të përbashkët për të ardhmen. Ambasadori Eric Wendt u takua me Ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, për të vlerësuar një lidhje mbi 100-vjeçare”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane.

Më tej, ambasada vuri në dukje se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë rrënjë të forta historike, duke kujtuar mbështetjen që presidenti amerikan Woodrow Wilson i dha Shqipërisë në momentet vendimtare për ruajtjen e pavarësisë dhe integritetit territorial të saj.

“Që nga mbështetja e Presidentit Wilson për një Shqipëri të pavarur, te bashkëpunimi ynë i sotëm si aleatë të NATO-s, ne vazhdojmë të zgjerojmë bashkëpunimin në tregti, sigurinë energjetike dhe lidhjet mes njerëzve, duke forcuar paqen dhe stabilitetin në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, theksohet në deklaratë.

Sipas Ambasadës së SHBA-së, marrëdhëniet mes Tiranës dhe Uashingtonit vijojnë të konsolidohen përmes bashkëpunimit në sektorë strategjikë, duke përfshirë sigurinë, mbrojtjen, ekonominë dhe energjinë, ndërsa roli i dy vendeve si aleatë në NATO mbetet një shtyllë e rëndësishme e partneritetit dypalësh.

Lini një koment