Berisha në Strasburg: Kur 90% e mediave kontrollohet nga qeveria, pluralizmi bëhet fiktiv
Kreu i PD-së Sali Berisha ka ngritur akuza të forta ndaj qeverisë shqiptare për situatën e medias dhe pluralizmin në vend, gjatë fjalimit të tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg.
Në fjalën e tij, Berisha pretendoi se mbi 90% e mediave në Shqipëri kontrollohen nga kryeministri, qeveria dhe interesa të lidhura ekonomike, ndërsa sipas tij pjesa tjetër përballet me presione dhe sulme.
“Raportet më serioze ndërkombëtare dëshmojnë se në Shqipëri mbi 90% e mediave, përfshirë mbulimin e lajmeve, debatet dhe editorialet, kontrollohen nga kryeministri, narkoqeveria e tij dhe bizneset e oligarkëve të tij”, deklaroi Berisha.
Ai akuzoi gjithashtu qeverinë se ka injoruar rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare lidhur me median në Shqipëri.
Duke e lidhur kontrollin e medias me atë që e cilësoi si “korruptim të gjuhës”, Berisha tha se në një situatë të tillë pluralizmi politik bëhet fiktiv.
“Kur 90% e mediave kontrollohet nga qeveria, korruptimi i gjuhës nuk është më një pasojë anësore, por një teknologji sundimi”, u shpreh ai.
Berisha e përshkroi gjuhën si një “burg pa mure”, duke argumentuar se përdorimi i saj mund të ndikojë në mënyrën se si perceptohet realiteti politik dhe shoqëror.
“Gjuha kthehet në një lloj ‘burgu pa mure’, ku fjalët përdoren për të parandaluar mendimin e pavarur përpara se ai të lindë”, tha kreu i PD-së.
Në fjalimin e tij, Berisha iu referua edhe filozofit Ludwig Wittgenstein, duke cituar shprehjen: “Kufijtë e gjuhës sime tregojnë kufijtë e botës sime”.
Në përfundim, Berisha kërkoi që ndërkombëtarët të mbajnë një qëndrim ndaj qeverisë shqiptare, duke e lidhur këtë me atë që ai e konsideron të nevojshme për garantimin e lirisë së medias dhe pluralizmit demokratik.
Fjalimi u mbajt gjatë sesionit vjeshtor të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, që zhvillohet në Strasburg nga 28 shtatori deri më 2 tetor 2026.
Zonja Kryetare,
Raportet më serioze ndërkombëtare dëshmojnë se në Shqipëri mbi 90% e mediave, përfshirë mbulimin e lajmeve, debatet dhe editorialet, kontrollohen nga kryeministri, narkoqeveria e tij dhe bizneset e oligarkëve të tij. Më pak se 10% e mediave që nuk kontrollohen janë subjekt i persekutimit, sulmeve verbale dhe fizike kundër gazetarëve nga vetë kryeministri dhe narkozyrtarët e tij, si dhe i gjobave të rënda, deri edhe i shkatërrimit të pronës dhe pasurisë së tyre.
Të gjitha rekomandimet e këtij institucioni dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare për mediat në Shqipëri janë injoruar nga qeveria shqiptare.
Në një kontekst ku 90% e mediave kontrollohet nga interesat politike dhe ekonomike të qeverisë, “e keqja banale” pushon së qeni një seri gabimesh rastësore dhe shndërrohet në një sistem operativ dhe ky është pikërisht rasti i Shqipërisë.
Kur 90% e mediave kontrollohet nga qeveria, korruptimi i gjuhës nuk është më një pasojë anësore, por një teknologji sundimi, dhe ky është një rast tipik i Shqipërisë. Në këtë rast, gjuha kthehet në një lloj “burgu pa mure”, ku fjalët përdoren për të parandaluar mendimin e pavarur përpara se ai të lindë. Korruptimi i gjuhës është me distancë mjeti më i fuqishëm dhe më i padukshëm i “të keqes banale”.
Korruptimi i gjuhës shënon shkatërrimin e kontratës themelore mes njeriut, shoqërisë dhe së vërtetës. Korruptimi i gjuhës korrupton mendimin: liria bëhet fiktive, pluralizmi politik zëvendësohet nga pluralizmi burokratik, dhe ky është realiteti i sotëm në Shqipëri, narkoshteti i parë dhe i vetëm në Evropë.
Gjuha nuk shërben më për të kërkuar të vërtetën, por për të ndërtuar mure.
Ludwig WITTGENSTEIN ka thënë: “Kufijtë e gjuhës sime tregojnë kufijtë e botës sime.”
Ajo shërben për të sulmuar kundërshtarët dhe për të demonizuar opozitën e vërtetë. Në një vend ku e keqja banale është shndërruar në sistem dhe korruptimi i gjuhës në një teknologji dominuese, opozita është gjithmonë fajtore për çdo gjë që ndodh në vend.
Një qëndrim i prerë, sanksionet ndërkombëtare dhe ndëshkimi i narkoshtetit në Shqipëri si dhe i atyre që e ndërtuan atë, janë kushte sine qua non për lirinë dhe pavarësinë e mediave dhe për rivendosjen e pluralizmit të vërtetë demokratik në vendin tim.