Thursday, 1 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Konkursi “Tirana Fountain Tower”, Rama u përgjigjet kritikave: Nuk nxjerrim njerëzit me forcë nga shtëpitë për projektet private

Konkursi “Tirana Fountain Tower”, Rama u përgjigjet kritikave: Nuk nxjerrim njerëzit me forcë nga shtëpitë për projektet private

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm këtë të enjte në prezantimin e 5 projekteve të paraqitura në kuadër të konkursit ndërkombëtar “Tirana Fountain Tower”.

Gjatë fjalës së tij, Rama iu përgjigj kritikave lidhur me zhvillimin urban dhe projektet e ndërtimit në kryeqytet, duke theksuar se askush nuk nxirret me forcë nga shtëpia për investime private.

Ndërkohë, kreu i qeverisë hodhi poshtë pretendimet për mungesë rregullash dhe mbështeti praninë e arkitektëve të huaj në Shqipëri, duke e cilësuar vendin si një “universitet të hapur të arkitekturës” ku profesionistët vendas rriten pranë mjeshtrave ndërkombëtarë.

“Nuk ka ndodhur në Shqipëri asnjëherë që të nxirret dikush me forcë nga shtëpia për t’u zhvilluar një investim privat dhe asnjë privati nuk i është mohuar e drejta e tij për të zhvilluar apo jo një projekt.

Ne me zaptuesit që janë pjesë e proceseve të legalizimit, edhe për ata ligji është shumë i qartë dhe asnjëherë nuk kemi mbajtur anën e pronarit apo zhvilluesit, nuk ka garanci që të jepet një kontratë qiraje dikujt tjetër, për një numër të caktuar vitesh e të paguhet nga zhvilluesit derisa qytetari të hyjë në programet e strehimit që i trajton bashkia.

E vërteta është krejt ndryshe, kemi patur diskutime për zhvillimin, pengesat që kanë dalë në zhvillimin urban dhe arkitektonik, por nuk do të thotë që ne në Shqipëri ndërtojmë pa rregulla apo bëjmë diçka që në vendet e tjera është e papranueshme dhe e palejueshme.

Në fakt ka diçka shumë të qartë për mua që është xhelozia e njerëzve mediokër dhe të njerëzve të cilët kapen pas nacionalizmit, pasaportës, kapen pas faktit që janë pjesë e komunitetit lokal dhe nuk kapen pas profesionit, argumentave dhe mundësive për të qenë konkurrues. Ndërkohë që janë shumë arkitektë dhe shumë profesionistë të rinj shqiptarë që janë pjesë e këtij transformimi dhe pjesë e punës me arkitektë të huaj.

Dhe kjo e bën Shqipërinë vendin ku arkitektët vendas kanë mundësi më shumë se vende të tjera që të rriten profesionalisht, që të punojnë me arkitektë që janë në nivelin më të lartë sot të mendimit dhe të profesionit. Sot Shqipëria dhe Tirana janë universiteti më i madh i hapur i arkitekturës në natyrë.

Sot arkitektët kanë mundësi të takojnë, të ndjekin, të punojnë konkretisht me mjeshtra”, u shpreh Rama.

Lini një koment