Sulmohen dy zyrtarë policorë në Prishtinë, arrestohet i dyshuari
Një person është arrestuar në Prishtinë, pasi dyshohet se sulmoi dy zyrtarë policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, siç njoftoi Policia e Kosovës në raportin e saj 24-orësh, të cituar nga UBT News.
Sipas raportit, incidenti ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes, më 1 tetor, rreth orës 18:20, në momentin kur zyrtarët policorë po legjitimonin një person tjetër që ndodhej në një veturë dhe që dyshohet se ishte i afërm i të dyshuarit, transmeton portali Fiks duke iu referuar raportimit të “Bota sot”.
Gjatë incidentit, në vendin e ngjarjes ka ardhur edhe një person tjetër, i cili dyshohet se ka penguar njësinë policore dhe ka tentuar ta ndihmojë të dyshuarin të largohej nga vendi i ngjarjes.
Për rastin, përveç njësive policore, është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK). Me vendim të prokurorit, i dyshuari është intervistuar dhe më pas është dërguar në mbajtje.