Friday, 2 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Kërkesa për komision hetimor për KAYO, Kuvendi i përgjigjet Bardhit

Kërkesa për komision hetimor për KAYO, Kuvendi i përgjigjet Bardhit

Kuvendi i Shqipërisë i ka kthyer përgjigje kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, lidhur me kërkesën e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për veprimtarinë e kompanisë “KAYO sh.a.”.

Në përgjigjen e saj, Drejtorja e Përgjithshme e Shërbimit Legjislativ në Kuvend i bën me dije Bardhit se, në zbatim të Rregullores së Kuvendit dhe rregullave për organizimin dhe funksionimin e tij, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, më 17 shtator, është shqyrtuar kërkesa për ngritjen e këtij komisioni.

Sipas përgjigjes, në mbledhje nuk është arritur konsensus për elementet e komisionit. Për këtë arsye, është rënë dakord që kjo kërkesë të mos shqyrtohet në seancën plenare të 24 shtatorit, por në seancën plenare pasuese.

Po ashtu, Drejtorja e Përgjithshme e Shërbimit Legjislativ i bën të ditur Bardhit se java në vijim është javë e posaçme e deputetëve me zgjedhësit. Rrjedhimisht, edhe seanca plenare e tetorit është tërësisht e dedikuar për diskutimin e problematikave të evidentuara gjatë javës së veprimtarisë me zgjedhësit.

Sipas përgjigjes së Kuvendit, kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor ka kaluar për shqyrtim dhe vendimmarrje në seancën plenare pasuese.

Lini një koment