Gjyqtarja federale bllokon ndërtimin e murit kufitar të Trump në Big Bend të Teksasit
Një gjyqtare federale në Teksas i dha të premten një goditje serioze planeve të administratës Trump për kufirin jugor, duke bllokuar përkohësisht ndërtimin e murit kufitar dhe infrastrukturës shoqëruese në zonën Big Bend, siç njofton CNN.
Vendimi është një fitore e madhe për pronarët e tokave, bizneset dhe ambientalistët e rajonit. Projektet janë pjesë e një përpjekjeje prej 46 miliardë dollarësh për të mbuluar kufirin jugor me mure çeliku rreth 9 metra të larta, barriera, rrugë dhe teknologji mbikëqyrjeje.
Gjyqtarja Kathleen Cardone urdhëroi se paditësit “ka të ngjarë të kenë sukses në meritat e të paktën një prej pretendimeve”, se do të pësonin “dëm serioz, të parevokueshëm” pa një urdhër ndalues, dhe se balanca e interesave dhe interesi publik anojnë në favor të tyre.
Padinë e ngriti organizata Center for Biological Diversity. Laiken Jordahl, përfaqësues i saj, e quajti vendimin “fitore totale”: “Buldozerët do të dërgohen mbrapsht derisa gjyqtarja të vendosë për meritat”.
Ndërtuesit ngritën panelet e para të murit në sektorin Big Bend në mesin e shtatorit, ndërsa opozita ndaj projektit ka qenë dy-partiake. Në gusht, buldozerët u panë duke pastruar tokë brenda Parkut Kombëtar Big Bend; shërbimi doganor CBP i pezulloi aktivitetet, por pauza skadoi më 30 shtator. Urdhri i gjyqtares shtrihet edhe në zonat poshtë dhe sipër lumit nga parku, përfshirë tokat private.