Akuzohet shoferi i aksidentit fatal në Berkley — shkonte mbi 160 km/h dhe niveli i alkoolit ishte dyfishi i limitit
Marquis D. Jackson nga Detroiti u paraqit në gjykatë më 2 tetor për akuzën e drejtimit nën ndikimin e alkoolit me pasojë vdekjen; garanci personale prej 200 mijë dollarësh, monitorim të detyrueshëm të alkoolit dhe ndalim drejtimi
Marquis D. Jackson, shoferi nga Detroiti që më 7 shtator shkaktoi aksidentin e rëndë në Berkley ku humbi jetën pasagjeri i tij, është akuzuar zyrtarisht për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit me pasojë vdekjen, siç njofton WDIV Local 4.
Jackson u paraqit në gjykatë më 2 tetor, ku gjyqtari caktoi një garanci personale prej 200 mijë dollarësh dhe e urdhëroi të mbajë një pajisje monitoruese të alkoolit, si dhe t’i ndalohet drejtimi i mjetit. Ai do të kthehet në gjykatë më 16 tetor për seancën paraprake.
Aksidenti ndodhi pak pas orës 22:00 të 7 shtatorit, në zonën e Edgewood Avenue me Henley Street në Berkley. Sipas raportimit të WDIV, SUV-ja e tij, një Chevrolet Blazer i vitit 2021, doli nga rruga, u përplas me një pemë dhe mori flakë — oficerët që mbërritën në vendngjarje panë flakë brenda kabinës së pasagjerit.
Hetimet treguan se shpejtësia ishte faktor përcaktues: makina po shkonte me mbi 160 kilometra në orë. Policia tha gjithashtu se në organizmin e shoferit kishte alkool dhe substanca të kontrolluara, ndërsa niveli i alkoolit rezultoi dyfishi i limitit ligjor.
Pasagjeri, Eugene Garnett, 51 vjeç nga Warreni, u dërgua bashkë me shoferin në spital, ku ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.