Shiste dokumente false në Michigan, dënohet me burg dhe do të deportohet sërish
Një 41-vjeçar nga Guatemala është dënuar me gjashtë muaj burg federal pasi u përfshi në një skemë të shitjes së dokumenteve të falsifikuara për persona që ndodheshin ilegalisht në Shtetet e Bashkuara.
Sipas burimeve të Detroit Free Press, Edgidio Vasquez-Mencho ishte një nga tre personat e akuzuar për këtë aktivitet në zonën e Grand Rapids gjatë viteve 2024 dhe 2025. Roli i tij në këtë rrjet ishte kryesisht shpërndarja e dokumenteve të falsifikuara dhe mbledhja e pagesave nga blerësit.
Autoritetet federale bëjnë të ditur se personat që përfitonin këto dokumente i përdornin për të siguruar punësim dhe për të aksesuar shërbime që janë të destinuara për qytetarët amerikanë dhe emigrantët që ndodhen ligjërisht në vend.
Ky nuk është rasti i parë për Vasquez-Mencho. Sipas autoriteteve, kjo është hera e tretë që ai është kapur në SHBA në mënyrë të paligjshme. Pas përfundimit të dënimit, ai do të deportohet sërish në Guatemalë.
Çështja u hetua dhe u ndoq penalisht nga Task Forca e Sigurisë Kombëtare në Michigan, në kuadër të operacionit “Take Back America”, një iniciativë federale në shkallë vendi e nisur pas një urdhri ekzekutiv në janar 2025.
Autoritetet theksojnë se lufta kundër falsifikimit të dokumenteve dhe emigracionit të paligjshëm mbetet një prioritet, duke paralajmëruar masa të ashpra për këdo që përfshihet në aktivitete të tilla.