Nga Michigani drejt Hënës: Astronautja Christina Koch nis misionin historik Artemis II
Koch është pjesë e një ekuipazhi prej katër astronautësh, ku përfshihen komandanti Reid Wiseman, piloti Victor Glover dhe specialisti kanadez Jeremy Hansen. Në këtë mision, ajo do të shërbejë si specialiste e misionit.
Një moment historik për SHBA dhe për Michiganin shënohet sot, teksa astronautja e NASA-s, Christina Hammock Koch, me origjinë nga Grand Rapids, niset drejt Hënës si pjesë e misionit Artemis II.
Nisja është planifikuar për sot në orën 6:24 pasdite dhe do të shënojë herën e parë në më shumë se pesë dekada që astronautë largohen nga orbita e ulët e Tokës. Misioni Artemis II është fluturimi i parë me ekuipazh që synon të rikthejë njerëzit në orbitën e Hënës që nga programi Apollo, i cili përfundoi 54 vite më parë.
Koch është pjesë e një ekuipazhi prej katër astronautësh, ku përfshihen komandanti Reid Wiseman, piloti Victor Glover dhe specialisti kanadez Jeremy Hansen. Në këtë mision, ajo do të shërbejë si specialiste e misionit.
Fluturimi do të testojë për herë të parë me njerëz në bord sistemet jetësore të anijes Orion, një hap i rëndësishëm për misionet e ardhshme që synojnë zbarkimin e njerëzve në Hënë.
Kjo është hera e dytë që Koch shkon në hapësirë. Ajo ka bërë histori më parë gjatë qëndrimit të saj në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, ku vendosi rekordin për fluturimin më të gjatë të një gruaje në hapësirë, me 328 ditë. Gjithashtu, në vitin 2019, ajo mori pjesë në ecjen e parë hapësinore të realizuar vetëm nga gra.
Lidhjet e saj me Michiganin janë të forta. Koch ka kaluar verat duke punuar në fermën e familjes në Comstock Park, ndërsa familjarët e saj kanë ndjekur gjithmonë me krenari arritjet e saj. Halla e saj, Loretta Homrich, madje kishte transmetuar drejtpërdrejt ecjen historike hapësinore për klientët në fermën familjare.
NASA ka bërë të ditur se publiku mund të ndjekë drejtpërdrejt nisjen dhe gjithë aktivitetet e misionit përmes faqes zyrtare, duke përfshirë përgatitjet para nisjes dhe kthimin në Tokë.
Misioni Artemis II konsiderohet një hap kyç drejt rikthimit të njerëzimit në Hënë dhe më tej drejt misioneve të ardhshme në Mars, ndërsa një vajzë nga Michigani është sot në qendër të këtij kapitulli të ri të eksplorimit hapësinor.