Bessent nuk do të marrë pjesë në takimet vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore në Bangkok
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, do të mungojë në takimet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore javën e ardhshme në Bangkok të Tajlandës, për shkak të “angazhimeve vendase”, njoftoi të premten një zyrtar amerikan.
Sipas zyrtarit, të cituar nga Reuters, delegacionin e Departamentit të Thesarit do ta udhëheqin zëvendëssekretari Francis Brooke dhe nëns-sekretarja për Çështjet Ndërkombëtare Erin Browne, ndërkohë që në rend dite janë shumë çështje ekonomike urgjente.
Mungesa e Bessent vjen në një moment kritik, kur rendimentet e bonove të Thesarit janë ngjitur në nivelet më të larta në gati 25 vjet dhe goditja energjetike e shkaktuar nga lufta në Lindjen e Mesme ka frenuar rritjen globale, thekson Reuters në artikullin e tij.
Nuk u bë e qartë menjëherë se cilat angazhime vendase e mbajnë Bessent në vend, por ai ka qenë zëdhënësi kryesor i politikave ekonomike vendase, ndërsa afrohen zgjedhjet e mesmandatit në SHBA.
Departamenti i Thesarit deklaroi se zyrtarët amerikanë do të punojnë me partnerët për të trajtuar “politikat dhe çekuilibrat strukturorë që kanë frenuar rritjen”, duke kërkuar “më shumë transparencë dhe qasje më efektive ndaj borxhit sovran”, dhe për t’i mbajtur kreditorët e huamarrësit nën “standarde të qarta dhe të qëndrueshme”.
“Angazhimi ynë në Bangkok do të udhëhiqet nga një objektiv i qartë: të sigurojmë që institucionet financiare ndërkombëtare dhe sistemi ekonomik ndërkombëtar më gjerë të avancojnë interesat ekonomike dhe të sigurisë kombëtare të SHBA-së,” thuhet në deklaratën e Thesarit. SHBA-ja këtë vit drejton Grupin e 20 ekonomive të mëdha dhe shefi i Thesarit normalisht do të kryesonte takimin e ministrave të financave dhe bankierëve qendrorë — pritet që Bessent të marrë pjesë në samitin e udhëheqësve të G20 në Miami në dhjetor.
