E hënë, 23 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Amerika›Babai dhe vajza e ndaluar nga ICE në aeroportin e Seattle-it po udhëtonin për një pagëzim familjar, thotë avokatja

Babai dhe vajza e ndaluar nga ICE në aeroportin e Seattle-it po udhëtonin për një pagëzim familjar, thotë avokatja

Babai dhe vajza që u ndaluan nga oficerë të maskuar të emigracionit në urën e hipjes në avion në Seattle, duke shkaktuar kaos para pasagjerëve të tjerë, po udhëtonin për një ceremoni pagëzimi familjar në Kaliforni, tha të dielën avokatja e tyre, siç njofton Associated Press.

Pasagjerët që po hipnin në fluturimin e Alaska Airlines në aeroportin ndërkombëtar Seattle-Tacoma të shtunën filmuan me celularë ndalimin e babait dhe vajzës nga oficerët, të veshur me xhaketa pa shenja dhe pantallona kaki. Videot, ku oficerët shihen duke u përleshur me një person në tokë, u përhapën gjerësisht në rrjetet sociale dhe fluturimi drejt Los Angeles-it u vonua.

Avokatja Olia Catala i tha agjencisë se babai dhe vajza jetojnë në Shtetet e Bashkuara që nga viti 2015, po kërkojnë azil dhe nuk kanë asnjë precedent penal. “Kanë bërë gjithçka siç duhet dhe janë njerëz të arsimuar. Ajo ka shkuar në kolegj, në universitet, ka punuar për një organizatë jofitimprurëse”, tha Catala.

Agjencia e Emigracionit dhe Doganave (ICE) tha në një deklaratë se oficerët e saj ndaluan Ricardo Larrondo Mendoza, emigrant nga Meksika, i cili sipas saj kishte tejkaluar afatin e vizës. Gjatë përplasjes, një pasagjere tjetër “u hodhi kafe të nxehtë oficerëve”, sipas ICE-së; gruaja, Sofia Hernandez Mejia, vajza e ndaluar, mund të akuzohet për sulm ndaj një oficeri federal. Avokatja tha se Mejia, rreth 25 vjeçe, e martuar me një shtetas amerikan dhe me dokumentet e rregullimit të statusit të dorëzuara, e lëshoi filxhanin e kafesë gjatë kaosit. Të dy mbahen në Qendrën e Përpunimit të ICE-së në Tacoma.

“Ata thjesht u hodhën përpara. Nuk u identifikuan dhe e goditën këtë familje nga pas”, tha dëshmitari John Gaedeke, i cili filmoi një pjesë të përplasjes. Alaska Airlines tha se ICE nuk dha asnjë njoftim paraprak për veprimin, i cili ndodhi në një fundjavë të ngarkuar udhëtimesh para Ditës së Falënderimeve, dhe se i ka ngritur shqetësimet e saj drejtpërdrejt autoriteteve. Edhe Porti i Seattle-it, që menaxhon aeroportin, tha se arrestimi ishte shqetësues dhe se autoritetet vendore do të kërkojnë shpjegime nga zyrtarët federalë.

ICE ka shtuar arrestimet në aeroporte që nga vera, duke shënjestruar veçanërisht personat që, sipas saj, kanë tejkaluar afatet e vizave.

Lini një koment