Tetori, muaji i sigurisë kibernetike: si të mbroheni nga phishing-u dhe vjedhja e identitetit
Mos klikoni linke të dyshimta, aktivizoni verifikimin me dy hapa — këshilla praktike për të gjithë familjen
Tetori është muaji kombëtar i ndërgjegjësimit për sigurinë kibernetike — fushata vjetore e agjencisë federale CISA që u kujton të gjithëve se mashtruesit online nuk pushojnë kurrë. Për familjet shqiptare, ku shpesh prindërit e moshuar përdorin telefonin për banka dhe komunikim me familjen, disa rregulla bazë bëjnë diferencën. Shenjat e një email-i ose SMS-je mashtruese (phishing) janë të njohura: dërgues i panjohur, urgjencë e rreme (“llogaria juaj do të mbyllet brenda 24 orësh”), linke që nuk përputhen me adresën zyrtare të kompanisë, dhe kërkesa për të dhëna personale apo financiare. Rregulli i artë, siç e përsërisin ekspertët e sigurisë: bankat, IRS-i dhe kompanitë serioze NUK kërkojnë kurrë fjalëkalime apo të dhëna me email apo SMS. Kur dyshoni, mos klikoni linkun — hapni vetë faqen zyrtare duke e shkruar adresën me dorë. Mbrojtja bazë ka tre shtylla: fjalëkalim unik për çdo llogari të rëndësishme (ose një password manager që i mban mend për ju), verifikimi me dy hapa (2FA) i aktivizuar kudo që ofrohet, dhe përditësimet e rregullta të telefonit dhe kompjuterit, të cilat mbyllin dobësitë që shfrytëzojnë hakerat. Nëse bini viktimë, veproni shpejt: raportoni mashtrimin në reportfraud.ftc.gov dhe në identitytheft.gov, kontrolloni falas raportet tuaja të kreditit në annualcreditreport.com, dhe vendosni një “fraud alert” te zyrat e kreditit për të bllokuar hapjen e llogarive të reja në emrin tuaj. Sa më shpejt të raportoni, aq më e madhe është mundësia për të kufizuar dëmin.