Thursday, 15 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Amerika›Kremlini: Dizeli rus ka filluar të arrijë në tregjet botërore pas marrëveshjes me Trump

Kremlini: Dizeli rus ka filluar të arrijë në tregjet botërore pas marrëveshjes me Trump

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të enjten gjatë konferencës së përditshme me gazetarët se dizeli rus ka filluar të arrijë në tregjet botërore, pas marrëveshjes së arritur me presidentin amerikan Donald Trump. Siç njofton Reuters, Peskov vlerësoi se mbërritja e karburantit pritet të ketë efekt pozitiv në stabilizimin e tregjeve të naftës, ndonëse pranoi se kjo nuk do të mjaftojë për t’i stabilizuar ato plotësisht.

Të dhënat e transportit detar të LSEG-së, të publikuara të mërkurën, tregojnë se Rusia ka rifilluar ngarkesat e dizelit nga porti baltik i Primorskut. Sipas këtyre të dhënave, një cisternë me rreth 40,000 tonë dizel me përmbajtje shumë të ulët squfuri u ngarkua më 13 tetor dhe po lundron drejt Marokut.

Marrëveshja u njoftua javën e kaluar, kur Trump tha se Rusia do të furnizonte menjëherë mbi 300,000 tonë dizel (rreth 2.25 milionë fuçi) për tregun amerikan dhe atë botëror, ndërsa Moska hoqi pjesërisht, nga 10 tetori, ndalimin e eksporteve. Uashingtoni dhe Moska kanë rënë dakord edhe për 500,000 tonë të tjera në nëntor dhe një milion tonë menjëherë më pas. Megjithatë, sipas të dhënave të Administratës Amerikane për Informacionin Energjetik, këto sasi mbulojnë më pak se një ditë — dhe në total më pak se katër ditë — të konsumit ditor të sektorit amerikan të transportit, që arrin rreth 2.94 milionë fuçi në ditë.

Trump është i interesuar të ulë çmimet e dizelit në SHBA përpara zgjedhjeve të mesmandatit të 3 nëntorit, ku republikanët rrezikojnë kontrollin e Kongresit. Marrëveshja është kritikuar ashpër nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy, nga zyrtarë evropianë dhe nga disa ligjvënës republikanë, të cilët thonë se ajo i siguron Moskës të ardhura për luftën në Ukrainë. Moska i ka hedhur poshtë kritikat evropiane si “cinike”, duke vënë në dukje se Evropa vazhdon të blejë naftë dhe gaz të lëngshëm rus.

Lini një koment