Monday, 19 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Kryesia e Kuvendit mblidhet sot, në rend dite Bordi i RTK-së dhe komisionet parlamentare

Kryesia e Kuvendit mblidhet sot, në rend dite Bordi i RTK-së dhe komisionet parlamentare

Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës, e cila është caktuar të nisë në orën 11:00.

Në këtë mbledhje pritet të diskutohet për rendin e ditës të seancës së ardhshme plenare, ku përfshihen edhe disa çështje që kanë mbetur nga seanca paraprake e Kuvendit, raporton KosovaPress.

Sipas rendit të ditës, fillimisht anëtarët e Kryesisë do të shqyrtojnë miratimin e procesverbaleve nga mbledhjet e mëparshme.

Më pas, do të diskutohet propozimi i rendit të ditës për seancën e radhës plenare, ku janë përfshirë miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme, deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.

Një nga pikat e rëndësishme është edhe formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për katër anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).

Bëhet fjalë për përzgjedhjen e dy anëtarëve nga komuniteti shqiptar, një anëtari nga komuniteti serb dhe një anëtari nga komunitetet joshumicë.

Po ashtu, në rend të ditës është edhe votimi i propozimit të Grupit Parlamentar të Listës Serbe për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.

Në fund të mbledhjes, Kryesia do të shqyrtojë edhe propozimet dhe kërkesat e paraqitura. /Telegrafi/

Lini një koment