Kuvendi mban seancë të enjten nga ora 10:00
Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancën e radhës të enjten, duke filluar nga ora 10:00. Në këtë seancë, përveç deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, pritet të trajtohet edhe formimi i komisionit për përzgjedhjen e kandidatëve për Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).
Kështu bëri të ditur kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Haxhiu njoftoi gjithashtu se nënkryetarja e Kuvendit, Vlora Çitaku, është caktuar anëtare e grupit punues për harmonizimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat dhe afatet para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Sipas Haxhiut, në kuadër të këtij grupi do të ftohen edhe ekspertë të fushës, të cilët do të kontribuojnë me njohuritë dhe përvojën e tyre profesionale.
Ajo e vlerësoi këtë hap si të rëndësishëm për koordinimin institucional lidhur me procesin në Hagë.
Ndërkohë, Kryesia e Kuvendit ka diskutuar edhe për formimin e delegacioneve parlamentare, në prag të vizitës së një delegacioni të madh të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i cili pritet të qëndrojë në Kosovë në fund të këtij muaji.
Sipas Haxhiut, me prioritet është trajtuar përbërja e delegacioneve për Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Këshillin e Evropës, SECEI-n dhe Frankofoninë. /Telegrafi/