“Protesta është e drejtë demokratike, dhuna jo”, ministri Demo: Qeveria është e hapur për dialog
Ministri për Punët e Brendshme, Ervin Demo ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me protestat e zhvilluara ditët e fundit, duke theksuar se e drejta për të protestuar është e garantuar nga Kushtetuta dhe se Policia e Shtetit ka detyrimin ta respektojë dhe ta mbrojë atë. Në reagimin e tij, ministri nënvizon se policia nuk do të jetë nxitëse e përplasjeve me protestuesit, ndërsa ndërhyrjet e saj do të kryhen vetëm kur të jenë të nevojshme dhe të ligjshme për të parandaluar ose ndaluar aktet e dhunës.
“E drejta për të protestuar është e garantuar me Kushtetutë dhe Policia e Shtetit ka detyrimin ta respektojë dhe ta mbrojë atë. Policia e Shtetit nuk do të jetë asnjëherë nxitëse e përplasjes me protestuesit. Detyra e saj është të garantojë zhvillimin paqësor të protestës, rendin dhe sigurinë e çdo qytetari”, shkruan Demo.
Ministri thekson se ndërhyrja e uniformave blu duhet të jetë në përputhje me ligjin dhe parimin e proporcionalitetit, me qëllim mbrojtjen e jetës, qytetarëve, punonjësve të policisë dhe pronës publike e private.
“Ndërhyrja e Policisë do të bëhet vetëm kur është e nevojshme dhe e ligjshme për të parandaluar apo ndaluar aktet e dhunës, për të mbrojtur jetën, punonjësit e Policisë, qytetarët dhe pronën publike e private, gjithmonë në respektim të parimit të proporcionalitetit. Protesta është një e drejtë demokratike. Dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë pjesë e saj”, shprehet ai.
Në reagimin e tij, ministri nënvizon gjithashtu gatishmërinë e qeverisë për të zhvilluar dialog me protestuesit dhe për të dëgjuar shqetësimet apo kërkesat e tyre. Sipas tij, komunikimi i drejtpërdrejtë dhe dialogu janë rruga për të gjetur zgjidhje, ndërsa aktet e dhunës nuk mund të zëvendësojnë diskutimin mes palëve.
“Qeveria mbetet e hapur dhe e gatshme për dialog me protestuesit, në çdo kohë dhe për çdo shqetësim apo kërkesë që ata dëshirojnë të ngrenë. Ne besojmë se dialogu, dëgjimi dhe komunikimi i drejtpërdrejtë janë rruga për të adresuar shqetësimet dhe për të gjetur zgjidhje. Asnjë derë nuk është e mbyllur për dialogun dhe asnjë akt dhune nuk mund ta zëvendësojë atë”, deklaron Demo.
Ministri thekson se përgjegjësia për aktet e dhunës është individuale dhe se çdo person që shkel ligjin duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij.
“Përgjegjësia për aktet e dhunës është individuale. Askush nuk mund të fshihet pas të drejtës për të protestuar për të justifikuar shkeljen e ligjit. Çdo person që kryen veprime të kundërligjshme do të përgjigjet përpara ligjit, pa përjashtim. Ne do të mbrojmë njësoj të drejtën për të protestuar, sigurinë e qytetarëve dhe autoritetin e ligjit”, theksoi ministri.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.