Bilanci i protestës, 36 të lënduar në Spitalin e Traumës, 14 vijojnë trajtimin në spital
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka publikuar bilancin e përditësuar të personave të lënduar gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë në Tiranë.
Sipas të dhënave zyrtare të përditësuara deri në orën 11:30 të datës 19 tetor, në Spitalin Universitar të Traumës kanë marrë shërbim mjekësor 31 persona të lënduar.
Mes tyre janë 21 efektivë policie, 5 protestues, 4 kalimtarë të rastësishëm dhe 1 përfaqësuese e medias, e cila është shtruar për trajtim.
Aktualisht, në Spitalin Universitar të Traumës ndodhen edhe 2 protestues, të cilët po i nënshtrohen ekzaminimeve dhe konsultave mjekësore.
Ministria bën me dije se nga data 13 tetor e në vijim, numri i personave të shtruar në spital dhe që vazhdojnë të marrin trajtim mjekësor ka arritur në 14. Sipas bilancit, bëhet fjalë për 5 efektivë policie, 4 protestues, 4 kalimtarë dhe 1 përfaqësuese të medias.
Autoritetet shëndetësore sqarojnë se gjendja shëndetësore e të gjithë të shtruarve paraqitet e mirë.
Ndërkohë, edhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur për ndihmë mjekësore persona të lënduar gjatë protestës. Gjatë ditës së djeshme, në QSUT kanë marrë trajtim 5 persona, mes tyre 2 efektivë policie dhe 3 protestues.
Të dhënat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se numri më i lartë i të lënduarve i përket efektivëve të policisë, ndërsa në mesin e personave që kanë kërkuar ndihmë mjekësore përfshihen edhe protestues, kalimtarë të rastësishëm dhe një përfaqësuese e medias.