Sulmohet Gjykata e Apelit në Tiranë, protestuesit drejtohen nga “Brryli”, Policia në ndjekje
Pas largimit nga Ministria e Arsimit, një grup protestuesish ka marshuar drejt Rrugës së Elbasanit dhe më pas në drejtim të Gjykatës së Apelit.
Forcat e Policisë i kanë ndjekur nga afër, por një pjesë e protestuesve arriti të afrohej deri te hyrja e institucionit.
Fillimisht u hodhën gurë në drejtim të fasadës, ndërsa më pas protestuesit mësynë hyrjen për publikun, thyen xhamat dhe dëmtuan derën metalike të Gjykatës.
Sipas raportimeve nga vendngjarja, ata kanë hyrë për disa sekonda brenda institucionit dhe i kanë vënë flakën një pjese të hyrjes, përpara se të dilnin sërish jashtë.
Gjatë ndërhyrjes janë dëmtuar edhe barriera metalike e vendosur për sigurinë, këndi i njoftimeve dhe godina e rojës.
Policia ka ndërhyrë menjëherë dhe ka nisur ndalimin e disa të rinjve. Gjatë përplasjes është raportuar edhe për një efektiv të lënduar.
Ngjarja vjen vetëm dy ditë pas një tjetër incidenti ndaj një institucioni të drejtësisë, kur u sulmua Gjykata e Lartë dhe u dogj një pjesë e katit të parë të godinës.