Policia sjell shërbimin e ri për gjobat në trafik, qytetarët do të njoftohen me SMS
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është funksionalizuar integrimi ndërmjet Sistemit Informativ të Policisë së Kosovës (SIPK) dhe platformës shtetërore e-Kosova, duke u mundësuar qytetarëve qasje më të lehtë në informatat për gjobat dhe masat në trafik.
Sipas njoftimit të Policisë, përmes këtij shërbimi të ri, qytetarët do të njoftohen përmes platformës e-Kosova dhe mesazheve SMS sapo gjoba të regjistrohet në sistem.
Gjithashtu, përmes platformës e-Kosova, qytetarët do të mund të marrin informata për gjobat dhe masat mbrojtëse të shqiptuara ndaj tyre.
Ndërkaq, pronarët e bizneseve do të kenë mundësi të shohin raportin përkatës për gjendjen e tyre lidhur me gjobat, i cili do të jetë i qasshëm drejtpërdrejt në platformë.
Raporti përfshin të dhëna për gjobat e papaguara, masat mbrojtëse ndaj personave fizikë, përfshirë konfiskimin ose anulimin e patentë-shoferit, si dhe pikët negative, bazuar në të dhënat e regjistruara në sistem.
Policia e Kosovës vlerëson se ky integrim do të kontribuojë në përmirësimin e qasjes së qytetarëve në informata, rritjen e transparencës dhe lehtësimin e komunikimit ndërmjet institucioneve dhe publikut.
Në fund, Policia ka ftuar qytetarët që ta shfrytëzojnë platformën e-Kosova për t’u informuar rreth gjobave dhe masave në trafik, duke ritheksuar përkushtimin për avancimin e shërbimeve dhe rritjen e transparencës institucionale./Telegrafi/