“Dialogu demokratik sjell ndryshim”- Vengu: Pagat e policëve, mësuesve, mjekëve dhe ushtarakëve duhet të jenë në krye
Deputeti i PS-së, Pirro Vengu ka theksuar rëndësinë e rritjes së pagave dhe shpërblimeve për punonjësit që mbajnë përgjegjësi të rëndësishme në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit.
Në një reagim të tij, Vengu nënvizon se pavarësia e një kombi lidhet me forcën e institucioneve, aftësinë për të vendosur për të ardhmen dhe kapacitetin për të mbrojtur atë që ndërtohet.
Sipas tij, vendosja e rendit nuk lidhet vetëm me sigurinë në rrugë, por edhe me vlerat shoqërore, përgjegjësitë dhe mënyrën se si shteti vlerëson kontributin e qytetarëve. Vengu thekson se arsimtarët, ushtarakët, punonjësit e Policisë së Shtetit, mjekët, infermierët dhe zjarrfikësit duhet të jenë në krye të piramidës së pagave në administratën shtetërore.
Postimi i plotë:
“Një Komb është i pavarur për aq sa ka forcën të vendosë për fatin e vet dhe të mbrojë atë që ndërton. Kjo forcë kërkon institucione që qëndrojnë në këmbë dhe njerëz që dinë, munden dhe guxojnë të përmbushin detyrën.
Ndaj duhet rivendosur rendi. Rendi në rrugë, por edhe rendi i vlerave dhe i përgjegjësive: çfarë çmojmë, kujt i besojmë dhe cilin zgjedhim të shpërblejmë. Kur vlerat dhe përgjegjësitë vendosen në rendin që u takon, dialogu demokratik mund të nisë dhe të sjellë ndryshim. Ky është edhe thelbi i rritjes së pagave dhe shpërblimeve për Policinë e Shtetit.
Arsimtarët, ushtarakët e policët, mjekët e infermierët dhe zjarrfikësit duhet të jenë në krye të piramidës së pagave në administratën shtetërore. Për përgjegjësinë që mbajnë dhe për shembullin që një shoqëri zgjedh t’u japë fëmijëve të saj.
Kujdestarët e brezave dhe të parakushteve për një të ardhme më të mirë për të gjithë duhet të jenë në krye: në vlerësim, në shembull dhe në shpërblim”.