MSh prezanton kronologjinë e trajtimit të pacientes me kancer që ndërroi jetë
Durim Elshani, këshilltar për media i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, ka sqaruar rrethanat e trajtimit të pacientes me kancer, e cila ka ndërruar jetë, duke thënë se sipas dokumentacionit mjekësor, ajo kishte marrë terapinë e përshkruar, por sëmundja kishte avancuar pavarësisht trajtimit.
Në një deklaratë të publikuar në Facebook, Elshani u ka bërë thirrje mediave që të respektojnë dhimbjen e familjes dhe të mos ndërlidhin shkakun e vdekjes me mosmarrjen e terapisë pa u mbështetur në dokumentacion mjekësor.
Sipas kronologjisë së publikuar nga Elshani, pacientja ishte diagnostikuar me kancer të gjirit para gjashtë vjetësh, ndërsa trajtimet e para me kimioterapi dhe radioterapi i kishte përfunduar me sukses.
Në dhjetor të vitit 2025, sëmundja ishte rikthyer me metastaza në kocka dhe në omentum. Pas vlerësimit nga Konsiliumi i Klinikës së Onkologjisë, ishte përcaktuar trajtimi me medikamentet Palbociclib dhe Fulvestrant.
Elshani ka bërë të ditur se pacientja ishte furnizuar me terapi në maj të vitit 2026 dhe se trajtimi kishte vazhduar edhe gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht.
Megjithatë, ekzaminimet mjekësore kishin treguar përparim të sëmundjes dhe shfaqjen e metastazave të reja në tru dhe në boshtin kurrizor, pavarësisht trajtimit.
Në fazën e fundit, pas vlerësimit se tumori kishte zhvilluar rezistencë ndaj terapisë së parë, mjekët kishin vendosur ndryshimin e trajtimit, duke filluar me Capecitabine dhe radioterapi paliative në tru, me qëllim të kontrollit të tumorit dhe lehtësimit të simptomave.
Sipas deklaratës, pacientja nuk e kishte toleruar trajtimin në këtë stad të sëmundjes dhe kishte ndërruar jetë.
Elshani ka theksuar se të gjitha etapat e trajtimit janë të dokumentuara në raportet zyrtare mjekësore. Ai ka konfirmuar se dosja e plotë mjekësore është në dispozicion të palëve të autorizuara dhe organeve kompetente për verifikim në Klinikën e Onkologjisë.
Për shkak të respektimit të konfidencialitetit dhe Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, identiteti i pacientes nuk është bërë publik.
DEKLARATA E PLOTË:
Nisur nga raportimet e shumta dhe të pasakta, jemi të detyruar të sqarojmë opinionin për të mbrojtur besimin e qytetarëve në institucionet publike duke e paraqitur kronologjinë zyrtare, kryekëput me fakte mjekësore të trajtimit të pacientes, e cila fatkeqësisht ndërroi jetë.
Në krye të herës, u bëjmë thirrje mediave që ta respektojnë dhimbjen e familjes, që të mos e keqinformojnë opinionin publik duke sugjeruar e ndërlidhur shkakun e vdekjes së pacientes pa u mbështetur në asnjë dokument, sepse është e vështirë për neve si institucion që të vazhdojmë të demantojmë përsëritjen e raportimeve të pasakta për këtë rast, në këtë kohë kur familja e pacientes është në dhimbje.
Duke i kërkuar ndjesë familjes për shqetësimin që mund të sjellë ky reagim, e paraqesim kronologjinë zyrtare të trajtimit të pacientes:
Për shkak të respektimit strikt të konfidencialitetit dhe Ligjit për Mbrojtjen e Të Dhënave Personale, identiteti nuk do të bëhet publik, mirëpo ftojmë të gjitha palët e autorizuara dhe organet kompetente që dëshirojnë të verifikojnë këtë ecuri, se dosja e plotë mjekësore është e qasshme për rishikim në Klinikën e Onkologjisë.
Raporti klinik dhe ekzaminimet diagnostike dëshmojnë këtë kronologji të saktë të trajtimit:• Para gjashtë vjetësh: Pacientja fillimisht ishte diagnostikuar me kancer të gjirit të tipit Triple Negative, për të cilin kishte përfunduar me sukses trajtimet e rregullta me kimioterapi dhe radioterapi.
• Dhjetor 2025: Pas rikthimit të sëmundjes (për herë të dytë) me metastaza në kocka dhe në omentum, rasti i saj u rishqyrtua nga Konsiliumi i Klinikës së Onkologjisë. Pasi analizat e reja rezultuan hormon-pozitive metastatike, mjekët përcaktuan linjën e re të trajtimit me medikamentet Palbociclib dhe Fulvestrant (Faslodex).
• 13 Maj 2026: Sipas dokumentacionit të rregullt, pacientja është furnizuar me medikamentin Palbociclib në sasi të mjaftueshme për trajtim të plotë deri më 13 qershor 2026. Përgjatë kësaj periudhe, ekzaminimet mjekësore evidentuan përparim të mëtutjeshëm të sëmundjes agresive në kocka.
• Qershor dhe Korrik 2026: Për shkak të evidentimit të përparimit të sëmundjes në kocka, Konsiliumi mjekësor ka vazhduar pa asnjë shkëputje trajtimin e kombinuar me Palbociclib dhe Fulvestrant. Kjo terapi e pandërprerë u administrua në cikle të rregullta mujore me qëllim të kontrollit të mëtutjeshëm të progresit të sëmundjes dhe mbrojtjes së strukturës kockore.
• Gusht 2026: Pacientja ka vijuar trajtimin ku i është administruar sërish Palbociclib në kombinim me Fulvestrant. Përgjatë kësaj kohe, përderisa pacientja ishte nën terapi të rregullt, janë realizuar ekzaminime shtesë diagnostike, të cilat kanë vërtetuar se përkundër tretmanit me terapinë në fjalë, sëmundja kishte avancuar me shfaqjen e metastazave të reja në tru dhe në boshtin kurrizor. Kjo e dhënë e patjetërsueshme shkencore e hedh poshtë aludimet se sëmundja ka progresuar si pasojë e mosmarrjes së terapisë.
• Faza e fundit: Pasi u vërtetua se natyra tejet agresive e tumorit kishte zhvilluar rezistencë biologjike ndaj terapisë së parë, Konsiliumi mjekësor vendosi ndryshimin urgjent të linjës terapeutike duke filluar me Capecitabine dhe radioterapi paliative në tru, me qëllim kontrollin e tumorit dhe lehtësimin e simptomave. Fatkeqësisht, organizmi i pacientes nuk e toleroi dot trajtimin në këtë stad dhe ajo ndërroi jetë.
Të gjitha këto etapa dhe vendime klinike janë të dokumentuara dhe të vërtetuara në raportet mjekësore zyrtare, gjë që i hedhin poshtë tërësisht pretendimet e pabazuara se pacientja ka vdekur për shkak të mosmarrjes së terapisë.
E përsërisim, se mbetemi tërësisht transparent dhe rikonfirmojme se dosja mjekësore është në dispozicion të plotë për çdo verifikim zyrtar e profesional.