Friday, 23 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›SHBA – Melania Trump ndërmjetëson një armëpushim lokal në Ukrainë

SHBA – Melania Trump ndërmjetëson një armëpushim lokal në Ukrainë

UASHINGTON, 23 tetor /ATSH-DPA/ – Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Melania Trump, ka ndërmjetësuar një armëpushim të përkohshëm mes Moskës dhe Kievit në qytetin ukrainas Oleshky, ku deri në 2 000 civilë kanë mbetur të bllokuar prej muajsh për shkak të luftimeve, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë.

Sipas deklaratës së publikuar nga Uashingtoni, të dyja palët kanë rënë dakord të pezullojnë përkohësisht armiqësitë duke filluar nga 29 tetori.

Armëpushimi synon të mundësojë dërgimin e ndihmave humanitare dhe evakuimin e popullsisë civile përmes një korridori të posaçëm të sigurt.

“Banorët e Oleshkyt kanë furnizim të kufizuar me energji elektrike, jetojnë mes rrugëve të minuara dhe përballen rregullisht me sulme ushtarake”, thuhet në deklaratën e Melania Trump, të cituar nga Shtëpia e Bardhë.

Ajo bëri të ditur se kishte bashkëpunuar me përfaqësues të të dyja palëve ndërluftuese për të përcaktuar kushtet e armëpushimit lokal.

Oleshky ndodhet në jug të Ukrainës, në territorin e pushtuar nga Rusia, përgjatë lumit Dnipro.

Qyteti është i izoluar plotësisht që nga fundi i vitit 2025.

Sipas burimeve ukrainase, Rusia mban atje rreth 2 000 persona, ndërsa organizatat humanitare kanë ngritur vazhdimisht shqetësime për kushtet e rënda në të cilat jetojnë civilët e bllokuar.

Qyteti i Khersonit, i cili kontrollohet nga Ukraina, ndodhet vetëm nëntë kilometra larg Oleshkyt, por vija e frontit kalon mes tyre.

Pas vitesh bombardimesh të ndërsjella, zona përreth është e mbushur me mina dhe municione të pashpërthyera, duke e bërë largimin nga qyteti një operacion me rrezik të lartë për jetën.

Kremlini ka akuzuar vazhdimisht ushtrinë ukrainase se përdor sulmet me dronë për të penguar dërgimin e ushqimeve në këtë vendbanim.

Armëpushimi i njoftuar synon të krijojë kushtet për mbërritjen e ndihmave dhe largimin e civilëve nga zona e rrezikut.

Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse marrëveshja do të zbatohet në terren dhe nëse korridori humanitar do të funksionojë sipas planit. /Ad.Ab./ a.jor.

Lini një koment