Asani sërish “shahu” i Iranit, lojtari kuqezi shënon gol dhe bëhet protagonist në kampionat!
Mund të kishte qenë ndeshja e tij. Jasir Asani ishte sërish si një “shah” i futbollit iranian, duke shkëlqyer me aksionet e tij, dhe me një gol të shënuar, ndonëse fitorja nuk u arrit.
Ylli 31-vjeçar shqiptar, i cili pret të kthehet në kombëtare pasi është lënë jashtë këto kohë, bëri thuajse gjithçka në ndeshjen e ligës së Gjirit Persik, mes rivalit vendas Çadormalu, dhe skuadrës së tij, Esteglal, që përfundoi 1-1.
Shënoi gol, edhe pak me fat me devijim, në minutën e 30-të. Asistoi një rrjetë tjetër, e cila për fat të keq u anulua për pozicion jashtë loje. Iu afrua golit të dytë personal, ose të paktën një asisti, por një gabim personal e pengoi ta përfundonte aksionin ashtu siç duhet.
Shqiptari me numrin 7, nga Shkupi i Maqedonisë, luftoi për çdo top, për çdo aksion sulmues, dhe po ashtu ndihmoi në mbrojtje. Ishte thuajse padron i krahut të tij, në të djathtë, ku luan si një futbollist që përdor të majtën.
Me shpirt luftarak, ndërhyri edhe ashpër duke marrë kartonin e verdhë në 65’, diçka që mund të shmangej, por i tillë është futbolli. Për fat të keq, pavarësisht shkëlqimit të Asanit, vendasit arritën të barazonin në 54’, e madje rrezikuan që ta fitonin ndeshjen.
Gjithsesi, edhe Jasiri nuk u dorëzua dhe pranë fundit pretendoi për penallti, apo të paktën për goditje dënimi në vijën e zonës së rreptësisë. Arbitri gaboi, sepse goditja e dënimit duhej dhënë.
Asani ka 4 gola në 10 gola të kampionatit, si dhe një asist, ndërsa në sezon ka 6 gola e dy asistë, në 12 ndeshje. Barazimi 1-1 nuk e ndihmoi Esteglalin që ka 20 pikë në 10 javë, dhe nga kjo mund të përfitojnë rivalët për titull, Traktor i Tabrizit dhe Persepolit, që kanë gjithashtu nga 20 pikë.