Saturday, 24 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›SHBA – Trump sugjeron tarifa 200% ndaj Rusisë dhe Ukrainës për t’i dhënë fund luftës

SHBA – Trump sugjeron tarifa 200% ndaj Rusisë dhe Ukrainës për t’i dhënë fund luftës

UASHINGTON, 24 tetor /ATSH-Ukrinform/- Presidenti amerikan, Donald Trump ka sugjeruar mundësinë e vendosjes së tarifave doganore prej 200% ndaj Rusisë dhe Ukrainës, me qëllim që t’i detyrojë të dyja vendet t’i japin fund luftës.

Megjithatë, ai shprehu dyshime se kjo masë do të kishte efekt, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk bëjnë tregti në vlera të mjaftueshme me të dyja vendet.

Deklara e Trump erdhi gjatë një tubimi elektoral dje në Florida, ku foli për politikën e tij tregtare dhe pretendoi se tarifat kishin ndihmuar në përfundimin e disa konflikteve ndërkombëtare.

“Tarifat na kanë ndihmuar t’i japim fund tetë luftërave. Për pesë prej tyre, do të thosha se shkak vendimtar kanë qenë tregtia dhe tarifat”, deklaroi Trump.

Ai shpjegoi se në raste të mëparshme kishte kërcënuar vendet e përfshira në konflikte, me vendosjen e tarifave të larta, nëse ato do të vazhdonin luftimet.

“Nëse vazhdojnë të luftojnë, do të vendosim tarifa prej 200% ndaj të dyja vendeve”, tha Trump, duke treguar se, sipas tij, kërcënimi kishte ndihmuar në ndalimin e luftimeve në rastet për të cilat po fliste.

Më pas, presidenti amerikan sugjeroi se një masë e ngjashme mund të zbatohej edhe ndaj Rusisë dhe Ukrainës.

“Ndoshta duhet ta bëjmë menjëherë këtë edhe me Ukrainën dhe Rusinë. Nuk më kishte shkuar më parë në mendje”, u shpreh ai.

Megjithatë, Trump pranoi se një strategji e tillë mund të mos funksiononte në këtë rast, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk importojnë sasi të mjaftueshme mallrash nga Rusia dhe Ukraina, për t’i ushtruar presion të konsiderueshëm ekonomik përmes tarifave.

“Por ne nuk blejmë mjaftueshëm nga ato vende për ta bërë këtë. Kështu që nuk funksionon”, tha presidenti amerikan.

Trump ka pretenduar më parë, se kërcënimet për vendosjen e tarifave tregtare kanë ndihmuar në arritjen e marrëveshjeve për t’i dhënë fund konflikteve të ndryshme.

Megjithatë, pretendimet e tij për rolin e SHBA-së në marrëveshjen e armëpushimit mes Indisë dhe Pakistanit janë kundërshtuar nga India, e cila ka deklaruar se marrëveshja u arrit drejtpërdrejt nga drejtuesit ushtarakë të të dyja vendeve. /

Lini një koment