ITALI – Identifikohet i dyshuari si administratori i faqes ”Movimento 17 ottobre”
Sipas medias italiane, Siher është studiues i gjeopolitikës dhe gazetar i pavarur, me bashkëpunime të mëparshme me gazetat “Il Fatto Quotidiano” dhe “Il Foglio”.
Ai ka punuar gjithashtu si studiues pranë Observatorit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut të Institutit për Studime të Politikës Ndërkombëtare (ISPI).
Në profilin e tij profesional, Siher ka deklaruar se ka përfunduar studimet për Komunikim dhe një master në Shkenca Politike në Universitetin e Milanos.
Fushat e tij të interesit përfshijnë islamin politik, lëvizjet politike islamike dhe marrëdhëniet mes islamit dhe nacionalizmit arab.
Sipas raportimeve mediatike, ai u lokalizua të shtunën në mëngjes, më 24 tetor, në banesën e një mikeshe në Milano dhe u shoqërua në komisariat.
Në banesë, policia nisi një kontroll në kuadër të hetimeve.
Siher raportohet se është nën hetim për nxitje të kryerjes së veprave penale në rrethana rënduese.
Megjithatë, hetimi nuk përbën provë të fajësisë dhe përgjegjësia penale duhet të përcaktohet nga autoritetet kompetente.
Faqja “Movimento 17 ottobre” kishte njoftuar të premten anulimin e tubimeve të shpallura më parë, por kishte bërë të ditur se organizatorët nuk do të hiqnin dorë nga dalja në rrugë.
Në një postim, faqja njoftonte se në orën 14:30 do të komunikoheshin tre pika grumbullimi në secilin qytet.
Sipas raportimeve, ndërhyrja e policisë ndodhi disa orë përpara orarit të paralajmëruar për njoftimin e pikave të grumbullimit./ a.jor.