Saturday, 24 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›SPANJË – 250 000 protestues kërkojnë garanci për pensionet shtetërore

SPANJË – 250 000 protestues kërkojnë garanci për pensionet shtetërore

MADRID, 24 tetor /ATSH-AFP/ – Rreth 250 000 persona marshuan sot në qendër të Madridit, duke kërkuar mbrojtjen e sistemit shtetëror të pensioneve, një nga çështjet kryesore të debatit politik përpara zgjedhjeve parlamentare të 29 nëntorit.

Protesta zhvillohet në një klimë tensionesh politike mbi qëndrueshmërinë financiare të skemës së pensioneve dhe rritjen e kostos së jetesës.

Kryeministri Pedro Sanchez ka akuzuar opozitën e djathtë se synon të dobësojë rritjen e pensioneve në përputhje me inflacionin.

Në marshim morën pjesë rreth 250 000 persona, të cilët lëvizën nga stacioni hekurudhor Atocha drejt Gran Via-s, një prej arterieve kryesore tregtare të kryeqytetit.

Demonstruesit mbanin pankarta me mesazhe si “Mbroni dhe garantoni pensionet tona“.

Debati është intensifikuar pas deklaratave të Es Munoz, deputete e Partisë Popullore (PP), e cila në fillim të muajit paralajmëroi se sistemi aktual i pensioneve mund të shembet dhe kërkoi ndryshimin e tij.

Kreu i Partisë Popullore, Alberto Núnez Feijóo, deklaroi se partia e tij do të vazhdojë t’i rrisë pensionet në përputhje me inflacionin çdo vit, nëse fiton zgjedhjet e 29 nëntorit dhe ai bëhet kryeministër.

Sanchez, nga ana tjetër, e ka akuzuar PP-në se vë në pikëpyetje mekanizmin e indeksimit të pensioneve me inflacionin, i cili është në fuqi që nga viti 2022, pasi partia votoi kundër ligjit që e vendosi atë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Sigurimeve Shoqërore të Spanjës, rreth 6,8 milionë qytetarë përfitojnë pension shtetëror.

Në shtator, pensioni mesatar mujor arriti në 1 576 euro.

Protesta e së sotme tregon se garantimi i të ardhurave të pensionistëve dhe financimi afatgjatë i sistemit do të mbeten çështje të rëndësishme në debatin politik përpara zgjedhjeve./ /Ad.Ab./ a.jor.

Lini një koment