Saturday, 24 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Çfarë ndodhi në 6 orë kaos në Tiranë? Protestuesit e maskuar me molotovë, gurë e flakë kundër institucioneve, bankave

Çfarë ndodhi në 6 orë kaos në Tiranë? Protestuesit e maskuar me molotovë, gurë e flakë kundër institucioneve, bankave

Për më shumë se 6 orë, protestuesit rikthyen kaosin në rrugët e Tiranës, pas tri ditësh që gjendja ishte qetësuar dukshëm. Nën shënjestrën e protestuesve të maskuar u vu edhe Ministria e Infrastrukturës si dhe Bashkia e Tiranës.

Ata i vunë flakën edhe derës së Ministrisë së Bujqësisë, por fatmirësisht flakët janë shuar shpejt, pa lejuar që të përhapeshin në të gjithë godinën. Molotovë u hodhën edhe drejt Teatrit të Kukullave që po ashtu pësoi dëme. Sulme pati edhe ndaj Bankës së Shqipërisë, së cilës i hodhën molotovë dhe thyen disa kamera sigurie. Disa herë protestuesit tentuan të sulmonin me fishekzjarrë edhe selinë e PS.

Rikthimi te aktet e dhunshme përkoi edhe me piketimin e bankave të nivelit të dytë dhe biznesit të një kompanie celulare, të cilave iu thyen xhamat.

Gjatë hedhjes së lëndëve piroteknike, dy efektivë janë lënduar nga flakët në këmbë. Edhe një protestuese u lëndua nga një gur në kokë, e po ashtu një tjetër me fishek gome në afërsi të syrit.

Nën urdhrat e opozitës, protestuesit e maskuar iu kthyen ritualit të ditëve të shkuara të sulmeve me gurë, kapsollë e fishekzjarrë.

Më herët Policia duke përdorur ujë e gaz lotsjellës, zbrazi brenda disa minutash bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga protestuesit e dhunshëm

Skenari i protestuesve i gjeti të gatshëm efektivët që prej përplasjeve të para te Ministria e Arsimit që ndërhynë menjëherë me autobotët që i ndoqën duke hedhur ujë e gaz lotsjellës duke i zhvendosur brenda pak minutash drejt qendrës. Nga aty, u shpërndanë në drejtime të ndryshme dhe shkuan te kryeministria.

Nga ana e policisë, ka pasur edhe përdorim të spray-t me piper dhe fishekëve të gomës.

Lini një koment