Sunday, 25 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›FOKUS – Francë, tensione dhe përleshje në Paris, Marsejë e Bordo, rreth 1 000 të arrestuar

FOKUS – Francë, tensione dhe përleshje në Paris, Marsejë e Bordo, rreth 1 000 të arrestuar

– Rreth 1 000 persona janë arrestuar gjatë një tjetër dite protestash në Francë, ku qindra mijëra qytetarë dolën në rrugë për të kundërshtuar rritjen e kostos së jetesës dhe kushtet e vështira në shkolla, shkruan BBC.

Pas një dite kryesisht paqësore, në mbrëmjen e së shtunës u regjistruan përplasje në disa qytete, përfshirë Parisin, Marsejën dhe Bordonë.

Policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë protestuesit, ndërsa në Marsejë u dogjën barrikada dhe në Bordo disa persona dëmtuan një dyqan duke shqyer panelet mbrojtëse.

Megjithatë, autoritetet arritën të shmangin deri më tani përsëritjen e trazirave dhe plaçkitjeve në shkallën e fundjavës së kaluar, kur vendi u përball me disa nga episodet më të rënda të çrregullimit të rendit publik në historinë e tij moderne.

Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, rreth 410 mijë persona morën pjesë në protestat e së shtunës, ndërsa sindikatat vlerësuan pjesëmarrjen në rreth 800 mijë qytetarë.

Rreth 70 mijë efektivë të policisë u angazhuan në të gjithë vendin.

Në disa qytete u vendosën kufizime të posaçme për të parandaluar përshkallëzimin e protestave në trazira, pas episodeve të javës së kaluar, kur policia u përball me grupe të dhunshme, qindra biznese u plaçkitën dhe ndërtesa u dogjën.

Në fillim të javës, presidenti francez Emmanuel Macron kishte përcaktuar se do të lejoheshin vetëm demonstratat e organizuara nga sindikata të njohura. Ndërkohë, pas seancave gjyqësore të përshpejtuara, qindra persona janë dënuar me burgim për vandalizëm, zjarrvënie dhe plaçkitje.

Përplasjet në Paris nisën në fund të një marshimi paqësor nga Porte d’Italie drejt Porte de Vincennes. Operacioni policor përfshiu edhe një njësi elitare që zakonisht angazhohet në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Disa protestues ngritën barrikada të improvizuara dhe hodhën sende në drejtim të efektivëve, ndërsa policia ndërhyri me shkopinj gome kundër grupeve të të rinjve të maskuar që po thyenin xhamat e një autosalloni.

Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, deklaroi se në pjesën e pasme të marshimit ishin mbledhur “disa mijëra aktivistë radikalë, mes tyre rreth 500 persona të identifikuar si pjesëmarrës në trazira”.

Lini një koment