Sunday, 25 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›SPANJË – Barcelona në kaos, plaçkiten 14 dyqane, 73 të mitur mes të arrestuarve

SPANJË – Barcelona në kaos, plaçkiten 14 dyqane, 73 të mitur mes të arrestuarve

BARCELONË , 25 tetor /ATSH -ANSA/ – Të paktën 128 persona janë arrestuar dhe 15 efektivë të forcave të rendit kanë mbetur të plagosur pas trazirave dhe përplasjeve të regjistruara pasditen e së shtunës në Barcelonë.

Bilanci është bërë i ditur nga policia katalanase, Mossos d’Esquadra, dhe është raportuar nga mediat spanjolle. Mes të arrestuarve janë edhe 73 të mitur.

Ngjarjet nisën pas një proteste të paautorizuar, e cila u organizua përmes rrjeteve sociale dhe filloi në sheshin qendror Plaça Catalunya. Sipas agjencisë së lajmeve EFE, në demonstratë morën pjesë disa qindra të rinj.

Situata u përshkallëzua më pas, kur disa protestues përmbysën automjete dhe motoçikleta të parkuara në zonë, ndërsa grupe të rinjsh dëmtuan edhe stacionet e autobusëve, raportoi gazeta “La Vanguardia”.

Policia ndërhyri me forca të shumta, duke përfshirë dhjetëra efektivë të njësive të ndërhyrjes së shpejtë. Gjatë incidenteve u regjistruan disa momente tensioni, ku u përfshinë rreth 600 persona.

Gjithashtu, u evidentuan akte të shumta vandalizmi dhe të paktën 14 dyqane u plaçkitën.

Kryebashkiaku i Barcelonës, Jaume Collboni, dënoi episodet e dhunës dhe paralajmëroi se përgjegjësit do të përballen me pasoja.

“Do të ketë pasoja ligjore dhe financiare si për të rriturit, ashtu edhe për prindërit e të miturve të përfshirë”, deklaroi Collboni, në një qëndrim të transmetuar nga radio-televizioni publik katalanas.

Lini një koment