I plagosuri në protestë dërgohet në Itali, Rama: Nuk gënjej edhe pse nuk i them të gjitha (VIDEO)
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me trajtimin mjekësor në Itali të Erjon Vishkullit, i cili mbeti i plagosur në sy gjatë protestës së djeshme në Tiranë.
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama shkruan:
“UNË NUK GËNJEJ edhe pse nuk i them të gjitha, sidomos për ata që tërë këto ditë po gatuajnë mish për top nëpër ekranet e tyre të korruptuara”.
Ndërkohë, vëllai i të riut të plagosur, Emiljano Vishkulli, ka folur për gjendjen shëndetësore të Erjonit, duke bërë të ditur se ajo paraqitet e stabilizuar dhe se familja ka marrë mbështetjen e strukturave shtetërore për trajtimin e tij në Itali.
Ai theksoi se transporti drejt Italisë u realizua me një avion të posaçëm, me mjekë që shoqëruan të riun, ndërsa vlerësoi gatishmërinë e institucioneve shtetërore dhe të personelit mjekësor.
“Gjendja e Erionit për momentin duket më e stabilizuar, na kanë thënë fjalë të mira për pjesën e rikuperimit të syrit. Kemi pasur një avion të posaçëm për këtë punë, me mjekë vetëm për vëllain. Çdo lloj iniciative, çdo gjë deri tani na janë përgjigjur strukturat shtetërore, si avioni, çdo gjë, të gjitha i ka sjellë shteti edhe në këto momente.
Gjendja e vëllait duket mirë për momentin dhe strukturat shtetërore na janë përgjigjur në mënyrën më korrekte, si mjekësia në Shqipëri, si transporti na janë gjendur dhe janë munduar të bëjnë më të mirën e mundshme. Nesër flitet që do të bëhet operacioni i dytë”, tha vëllai i Erionit.