Gjykatësja federale bllokon përkohësisht rregullin e Trump që shkurton afatin e refugjatëve për të kundërshtuar heqjen e statusit
Një gjykatëse federale bllokoi përkohësisht të martën administratën e presidentit Donald Trump nga zbatimi i një rregulli të ri që shkurtonte nga 30 në 10 ditë afatin që refugjatët kanë për të kundërshtuar vendimet për heqjen e statusit të tyre ligjor, siç njofton Reuters.
Gjykatësja e qarkut Julia Kobick në Boston lëshoi urdhrin që e pezullon deri më 6 nëntor rregullin e Shërbimit të Shtetësisë dhe Emigracionit (USCIS), të lëshuar më 14 tetor. Kobick tha se rregulli i USCIS duhet pezulluar për të ruajtur status quo-në derisa çështja të dëgjohet nga një koleg i saj.
Grupet mbrojtëse të refugjatëve e kërkuan urdhrin si pjesë e padisë së ngritur të hënën, e cila kundërshton rregullin dhe një plan për një rishikim më të gjerë të refugjatëve.
Erez Reuveni i organizatës Democracy Forward, avokat i paditësve, tha se vendimi “ofron mbrojtje domethënëse për njerëzit që tashmë po përballeshin me njoftime për përfundimin e statusit”.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS), që mbikëqyr USCIS, nuk iu përgjigj kërkesës për koment. DHS kishte vlerësuar se rregulli i ri do të prekte deri në 186,000 refugjatë.