E martë, 3 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›FRANKFURT – Policia e dislokuar për të mbrojtur dyqanet e plaçkitura gjatë protestave

FRANKFURT – Policia e dislokuar për të mbrojtur dyqanet e plaçkitura gjatë protestave

FRANKFURT, 1 nëntor /ATSH-DPA/ – Policia vazhdon të jetë e pranishme në Frankfurt pas trazirave të mbrëmjes së së shtunës, ndërsa dëmet të konsiderueshme në prona ende nuk janë vlerësuar me saktësi, bëri të ditur një zëdhënës.

Trazirat pasuan demonstratat e të rinjve, të cilët kërkonin shkolla më të mira, lehtësim nga rritja e kostos së jetesës dhe më shumë drejtësi sociale – pjesë e një dite protestash në shumë qytete anembanë Gjermanisë.

Shumica e protestave kaluan pa incidente.

Megjithatë, në Frankfurt, pjesëmarrësit në trazira thyen vitrinat e dyqaneve, vodhën mallra dhe sulmuan efektivët e policisë.

Policia arrestoi përkohësisht më shumë se 30 persona dhe rrethoi një zonë në qendër të qytetit.

Zëdhënësi i policisë deklaroi sot se dyqanet që u plaçkitën gjatë trazirave kishin nevojë gjithashtu për mbrojtje.

Ai theksoi se ende nuk është e qartë se sa persona kanë mbetur të lënduar gjatë trazirave.

Kryeministri i landit të Hesenit, Boris Rhein, u shpreh i tronditur nga “ekseset e dhunshme në Frankfurt”, duke shtuar se ato “nuk do të mbeten pa pasoja”.

“Kushdo që sillet si plaçkitësit në qendër të Frankfurtit, e vendos veten jashtë shoqërisë sonë. Ne do t’i analizojmë me kujdes agresorët, grupet e përfshira dhe rrjedhën e ngjarjeve, për të nxjerrë përfundimet përkatëse”, theksoi ai./ a.jor.

Lini një koment