E martë, 3 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Arrestohet 65-vjeçari në Gjilan, dyshohet për vrasjen e rëndë të djalit dhe foshnjës në Demiraj

Arrestohet 65-vjeçari në Gjilan, dyshohet për vrasjen e rëndë të djalit dhe foshnjës në Demiraj

Policia e Kosovës ka arrestuar babanë e viktimës, një 65-vjeçar, si të dyshuar për rastin në fshatin Demiraj të Gjilanit, ku u gjetën pa shenja jete një 27-vjeçar dhe një foshnjë tremuajshe, siç njofton Telegrafi.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani. Sipas Policisë, nga hetimet e para dyshohet se ngjarja ka ndodhur brenda familjes, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

Rasti është raportuar sot, më 1 nëntor 2026, rreth orës 08:47, kur Policia pranoi informacion se në një shtëpi në Demiraj dyshohej për dy persona të pajetë. Në vendngjarje dolën njësitet policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi emergjent mjekësor, ku u konstatua vdekja e të dyve.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vazhdon hetimet për ndriçimin e plotë të rrethanave të rastit, i cili tashmë është cilësuar si “Vrasje e rëndë”.

Lini një koment