Tuesday, 5 May 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaRama me të rinjtë në Gjirokastër: Rritim investimet për startup-et, pajisim shkollat me laboratorë smart

Rama me të rinjtë në Gjirokastër: Rritim investimet për startup-et, pajisim shkollat me laboratorë smart

Kryeministri Edi Rama, në një bashkëbisedim me të rinjtë në Gjirokastër, u ndal tek zhvillimet në fushën e teknologjisë dhe inovacionit, si dhe mundësitë që ofrohen për aplikim në programin e startup-eve, për të cilin qeveria ka paralajmëruar rritje të financimit.

Sipas Ramës, inovacioni ndryshon me ritme shumë të shpejta, duke e bërë të domosdoshme rritjen e vazhdueshme të investimeve në këtë sektor.

“Është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm se inovacioni ndryshon çdo orë dhe asgjë që kemi bërë deri sot në mëngjes nuk mjafton për çfarë duhet bërë deri sot në darkë, në kuptimin për të investuar më shumë energji, forca, por edhe financa,” u shpreh Rama.

Kryeministri deklaroi se programi i startup-eve ka njohur një rritje të ndjeshme të interesit, duke kaluar nga pak më shumë se 40 aplikime në mbi 1500 të tilla, çka sipas tij kërkon një rishikim dhe zgjerim të mbështetjes financiare.

“Me programin tonë të startup-eve e kemi nisur me pak më shumë se 40 aplikime dhe tani kemi më shumë se 1500 aplikime. Kjo na ka vënë në pozitën për të ndërhyrë për të rritur financimin,” tha ai.

Kryeministri nënvizoi se mbështetja do të zgjerohet edhe për të rinjtë që janë ende në sistemin arsimor, duke financuar ide dhe prototipe premtuese, pa pritur përfundimin e studimeve.

“Do të duhet të bëjmë një seleksionim, jo vetëm që duhet të shtojmë financat për startup-et, por edhe të rrisim financimin për ata që janë ende në shkollë dhe universitet, pa pritur të mbarojnë arsimimin. Do ta nisim që në vitin e ardhshëm, kur do të duhet të gjejmë mënyrën të financojmë prototipet e spikatura që do të kenë interes për t’u shtjelluar më shumë,” u shpreh Rama.

Po ashtu, Rama tha se do të vijojnë investimet për pajisjen e shkollave me laboratorë smart, me qëllim rritjen e aksesit të fëmijëve në teknologji që në hapat e parë të arsimimit.

“Do të vazhdojmë të plotësojmë të gjithë sistemin e shkollave me laboratorët smart, që t’u japim akses të gjithë fëmijëve në teknologji që në hapat e parë të shkollës,” tha kryeministri.

Ndër të tjera, prioritet për kryeministrin Rama mbetet edhe investimi në inteligjencën artificiale dhe qendrat e të dhënave digjitale, si pjesë e transformimit teknologjik të vendit.

Lini një koment