E martë, 3 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Arte›Përfundon restaurimi i Kalasë së Borshit, ruhen vlerat e monumentit historik

Përfundon restaurimi i Kalasë së Borshit, ruhen vlerat e monumentit historik

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se përfunduan punimet restauruese në Kalanë e Borshit.

Punimet u përqendruan në konsolidimin e strukturave fortifikuese, ruajtjen e autenticitetit dhe evidentimin e vlerave historike e arkitektonike, përfshirë Xhaminë e Haxhi Bendos. Ndërhyrjet kanë kontribuar gjithashtu në rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e vizitueshmërisë së këtij monumenti, që ngrihet mbi bregdetin e Jonit dhe mbart gjurmë historike nga antikiteti deri në mesjetë.

“Ruajmë trashëgiminë, promovojmë historinë”, shkroi ministri ndërsa përcolli në rrjetet sociale pamje të kalasë së restauruar.

Kalaja e Borshit ndodhet mbi fshatin dhe bregdetin e Borshit, në Rivierën Shqiptare. E ndërtuar që në periudhën antike, dhe e rindërtuar gjatë periudhës bizantine dhe otomane, kalaja ka shërbyer si një pikë strategjike për kontrollin e rrugëve tregtare dhe mbrojtjen e zonës.

Muret e saj rrethojnë një sipërfaqe të madhe, brenda së cilës gjenden rrënoja historike, përfshirë një xhami osmane. Kalaja ofron një pamje panoramike të mrekullueshme mbi detin Jon dhe fushën e Borshit, duke e bërë atë një vend tërheqës për vizitorët që duan të ndërthurin natyrën me historinë.

Lini një koment